
Pas shtimit të korsive të biçikletave në akset kryesore të qytetit te Shkodres, qytetarët te cilet jane cdo dite perdorues te biçikletave janë shprehur të kënaqur, duke theksuar se tashmë ndihen më të sigurt dhe se lëvizja e tyre është bërë më e lehtë. Ata vlerësojnë faktin që kanë një hapësirë të dedikuar, duke shmangur trafikun dhe rrezikun e aksidenteve
Plani i mobilitetit i Bashkisë Shkodër synon krijimin e një rrjeti të sigurt korsish biçikletash, duke përfshirë segmentin Sheshi Ura e Maxharit – Sheshi Rus – Parrucë, i cili lidhet me Xhabijen, Perashin dhe Zdralen.
Sipas sondazheve, 1/3 e banorëve të Shkodrës përdorin biçikletën për lëvizje të përditshme. Ky investim synon të rrisë sigurinë dhe përdorimin e tyre, sipas praktikave evropiane.
Ndërkohë, plani i mobilitetit ka analizuar në detaje situatën e parkimeve në qytetin e Shkodres, duke rekomanduar zhvendosjen e parkimeve jashtë rrugëve, përmes investimeve publike dhe private. Është parashikuar një rrjet i mirëmenduar parkimesh nga periferia deri në qendër, duke krijuar hapësira për vizitorët dhe banorët.
Bashkia Shkodër po shqyrton gjithashtu ndërtimin e parkimeve nëntokësore në Zdrale, Rus, Perash dhe qendrën e qytetit, për të reduktuar mbingarkesën e trafikut dhe për të optimizuar hapësirat publike.