
Qytetarët kanë vlerësuar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje që pengonin hyrjen drejt Tregut të Rusit, duke e konsideruar një hap shumë të mirë për rregullimin e zonës, e cila më parë ka qenë në kaos dhe pa asnjë rregull.
Edhe sot ka vijuar puna për lirimin e hapësirave publike, në kuadër të përgatitjeve për investimin në Markatën e re të Mishit, që pritet të transformojë tërësisht këtë zonë tregtare, duke sjellë kushte dhe standarde bashkëkohore për tregtarët dhe qytetarët.
Aksioni është ndërmarrë nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, si pjesë e planit për rivendosjen e rendit urban dhe funksionimin normal të tregjeve publike në territorin e Bashkisë Shkodër.






