Pasi nuk po gjen drejtësi në lidhje me pronën e pretenduar prej tij, ku janë hedhur inertet e objekteve të shembura nga tërmeti në Kurbin, Andon Meta nga Laçi vendosi sërish të sakrifikojë, duke ndërmarrë një veprim ekstrem. Prej mëngjesit të së enjtes, ai ka hyrë në grevë urie pa afat, para ambienteve të Prokurorisë së Lezhës, pasi sipas tij nuk po zbatohet vendimi i gjykatës, e cila ka kërkuar hetimin e kryebashkiakes së Kurbinit, Majlinda Cara, dhe disa zyrtarëve të tjerë të kësaj njësie vendore dhe Kadastrës.
Andon Meta shprehet i vendosur në rezistencën e tij, derisa të marrë një përgjigje zyrtare nga ana e Prokurorisë së Lezhës, e cila sipas tij po zvarrit hetimet, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Apelit.
Andon Meta vijon prej vitesh betejën e tij ligjore në lidhje me 11 dynym tokë në Kurbin, ku pretendon se janë tjetërsuar. Ai ka kallëzuar penalisht kryetaren e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, dhe disa zyrtarë të tjerë dhe së fundmi, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur hetimin e kësaj çështjeje nga Prokuroria e Lezhës, duke rrëzuar vendimin e shkallës së parë, e cila kishte pranuar kërkesën e organit të akuzës për pushim, me pretendimin se nuk ka elementë të veprës penale.

Artikulli paraprakNIS SHËMBJA E OBJEKTEVE PAS KATEDRALES NË LEZHË
Artikulli tjetërSEANCË E DHURIMIT TË GJAKUT PËR FËMIJËT TALASEMIK