Kontrolli teknik i automjeteve këtë fillim viti në Shkodër po vijon pa problematika, të paktën përsa i përket procesit të punës në sportelet e kolaudimit. Puna ka vijuar normalisht, megjithatë radhët e gjata të makinave, një praktikë e vjetër kjo, janë kthyer në një makth të vërtetë për drejtuesit e automjeteve. Pritja me orë të tejzgjatura është një problematikë që vijon të jetë shqetësuese. Shkak i kësaj radhe janë edhe përfshirja e të gjithë rretheve të qarkut Shkodër, të cilët janë të detyruar të kryejnë kontrollin teknik të detyrueshëm vetëm në një pikë.

Kjo gjë shton numrin e madh të qytetarëve të cilët kërkojnë të bëjnë kontrollin. Këtë fillim viti, radhët e gjata janë të ndikuar edhe me shtimin e numrit të emigrantëve, të cilët kanë përfituar për të përfunduar punë me ardhjen për festa. Kompania konçensionare, e cila ka fituar vite më parë kontratën për dhjetë vjet e ka kthyer në monopol kontrollin teknik të automjeteve, duke mos hapur të tjera qendra për kontrollin. Kjo gjë detyron drejtuesit e automjeteve të vijnë nga zona të largëta të qarkut.