Fatmir Hysenbelliu është shndërruar në personazhin më të klikuar të mediave sociale dhe portaleve online.

Disa fotografi të realizuara rastësisht nga kalimtarë në zonën e ish-­Bllokut në Tiranë, ndërsa dilte nga një makinë e veçantë e markës “McLaren” 570 gt, bënë xhiron e rrjeteve sociale për shumë kohë. Fama e tij u pikas edhe nga gazetari i famshëm italian Enrico Lucci, që siç do të shprehej gjatë vizitës së realizuar pak kohë më parë në Shqipëri, “investigoi” më shumë rreth Fatmir Hysenbelliut dhe mësoi se ai ishte djali i biznesmenit Irfan Hysenbelliu. Fakti që në pronësi të tyre është edhe “Birra Korça”, e themeluar në vitin 1928 nga investitori italian Umberto Umberti si edhe që më herët Fatmir Hysenbelliu ka qenë pjesë e ekipit të futbollit të Barit në Itali, ishin të mjaftueshme për Luccin që të nisej drejt Tiranës. Dhe pikërisht dje ish-drejtuesi i emisionit investigativ “Le Iene” në Italia 1, sot drejtues i emisionit “Nemo” në Rai2 transmetoi në orën 21:20 emisionin e tij kushtuar zhvillimit të elitës ekonomike shqiptare, duke sjellë si shembull suksesi pikërisht Irfan dhe Fatmir Hysenbelliun.

Reportazhi për Shqipërinë nis me eksodin e shqiptarëve dhe më pas një Shqipëri ndryshe që prezantohet nga Tirana e vitit 2017. Pamjet që televizionet italiane transmetonin 25 vite më parë kur shqiptarët zbrisnin në brigjet e Italisë me anije, nuk janë harruar. Por që prej asaj kohe, Shqipëria nuk është më e njëjta. Për të pasqyruar Shqipërinë ndryshe, Shqipërinë e vitit 2017, gazetari i njohur italian, Enrico Lucci, përcolli për publikun italian rastin e Fatmir Hysenbelliut, të cilësuar në emision si shembull të suksesit të biznesit në Shqipëri. Hysenbelliu ka treguar për shikuesit italian suksesin e bizneseve të shumta të familjes Hysenbelliu, duke nisur nga ndërtimet, hoteleria, fabrikat e “Birra Korça”, verës “Egnatia”, uji “Fab”, universitetin “Luarasi”, gjigandin mediatik “Focus Group” ku përfshihen “News24”, “BalkanWeb”, “Gazeta Shqiptare”, “Radio Rash” si edhe grupin “Panorama”. Lucci e krahason familjen Hysenbelliu me familjen Agnelli të Italisë. Ndërsa nuk mungon as krahasimi me Berlusconin. Madje Lucci e ka pyetur trashëgimtarin Hysenbelliu nëse në një të ardhme do të bëhej president i vendit, referuar manjatit Donald Trump.