Kreu i qeverisë, Edi Rama do të nisë sot turin ballkanik pra në data 6 dhe 7 korrik dhe do të zhvillojë takime në Beograd, Sarajevë, Prishtinë, Shkup e Podgoricë.
Kryeministri e nis turin me Maqedoninë e Veriut dhe më pas do të shkojë në Kosovë, ku edhe do të kalojë natën. Të premten do të udhëtojë për në Mal të Zi, Serbi dhe Sarajevë.
Në Kosovë i është refuzuar takimi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por raportohet se do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Presidenca e Kosovës ka njoftuar se takimi zhvillohet nga ora 16:00.
Kurti kushtëzoi takimin me Ramën, ku i kërkoi atij zhvillimin e mbledhjes së përbashkët ndërmjet dy qeverive, pasi përndryshe nuk e takon. Duke e cilësuar si të paarsyeshëm vendimin e kryeministrit shqiptar për të anuluar mbledhjen e dy qeverive që ishte parashikuar të mbahej më 14 qershor në Gjakovë, Kurti u shpreh se do të mirëpriste Ramën të zhvillonin mbledhjeve e të firmosnin 13 marrëveshjet e përbashkëta për të cilat ishin dakordësuar më parë.
Kreu i qeverisë do të zhvillojë takime me krerët e shteteve përkatëse në kuadër të Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë. Në turin e tij të takimeve kryeministri Edi Rama do të shoqërohet nga një pjesë e kabinetit të tij qeveritar.
Procesi i Berlinit
Procesi i Berlinit u vendos në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon. Samiti i nëntorit në Berlin përfaqëson, gjithashtu, ringjalljen e procesit, që kur kancelari Olaf Scholz drejton Qeverinë në Berlin. Sipas njoftimit, samiti i ardhshëm do të organizohet në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.