Deklaratat e një dite më parë nga Kryeministri Edi Rama për gazetarët, janë bërë shkak për një përplasje në distancë mes kreut të qeverisë dhe kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Kështu, në një postim të tijin, Basha e konsideroi fjalimin e djeshëm të Ramës një fjalim kriminal. “Me fjalime të tilla, ai është duke nxitur përditë urrejtjen dhe dhunën ndaj gazetarëve. Gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar. Vetëm pak ditë më parë në Maltë u vra në mënyrë barbare një gazetare që hetonte kryeministrin”, shkruajti Basha. Sipas tij, klima që krijon Edi Rama inkurajon pikërisht kriminelët që të sulmojnë gazetarët që raportojnë dhe hetojnë krimin dhe korrupsionin.

Por i menjëherëshme ka qenë edhe reagimi i Kryeministrit Rama, i cili po në Facebook shkruan se “të respektosh median, do të thotë të respektosh lirinë e tyre edhe kur gënjejnë e shpifin, po jo të heshtësh edhe kur gënjeshtrat e shpifjet e tyre bëhen mal para syve të tu. Ashtu sikundër ja edhe tani, në këtë moment, ti je i lirë të gënjesh e të shpifësh ndaj meje, siç po bën prej një muaji e ca – më vjen vërtet gjynah për ty po është e drejta jote të ribëhesh qesharak.

Ama njerëzit duhet të dëgjojnë edhe anën time e pastaj gjykojnë vetë ata, mos e ki merak”. Në reagimin e tij, Rama i kujton Bashës se “kush i merr shqiptarët për budallenj e pëson dhe sa më shumë t’i bëjë për budallenj aq më keq e pëson. Çudi e madhe me ty o mik që nuk mëson”, shkruajti Kryeministri.

Artikulli paraprakKRYEMADHI TAKOHET ME EUROKOMISIONERIN JOHANNES HAHN
Artikulli tjetërPEZULLOHEN PUNIMET NË BYPASS-IN E SHKODRËS