Kryeministri Edi Rama ka nisur atë që e cilësoi ‘bashkëbisedim me demokratët’ duke folur për situatën në PD dhe protestën e djeshme.

“Ky bashkëbisedim është shumë i veçantë sepse është një komunikim që i adresohet miqve demokratë në këtë rrjet social dhe përmes mediave që mbase do ta ndjekin këtë komunikim të gjithë demokratëve, njerëzve të zakonshëm, të arsyeshëm, prindër, familjarë, shqiptarë që për 1001 arsye i përkasin asaj pjese të kampit politik që identifikohet me PD-në tash 30 vjet. Ndodhia e djeshme ishte shumë e rëndë për demokratët por ishte e rëndë edhe për të gjithë shqiptarët dhe për vetë Shqipërinë në fakt. Disa të huaj më kanë telefonuar dhe më kanë pyetur nëse është e vërtetë që është sulmuar Selia e opozitës nga mbështetësit e saj. Një lajm sa i rëndë aq edhe qesharak që në një vend demokratik sulmohet me dhunë selia e partisë së opozitës nga vetë mbështetësit e saj. Është diçka e pandodhur kurrë në dijeninë time në historinë e botës demokratike. Diccka që shkon përtej çdo logjike.  Disa mund të mendojnë se për mua kjo është një gjë e mirëseardhur. Por në fakt jo. Edhe pse një zhvillim i tillë e dëmton opozitës godet shoqërinë, të gjithë ngrehinën e kulturës politike”, tha Rama.