Për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë do të vendosë Gjykata e Hagës! Ishte ky vendimi i rëndësishëm që u mor ditën e sotme në takimin që zhvilloi ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias me kryeministrin Edi Rama në Tiranë! Thumbat, kreu i qeverisë nuk i kurseu për kundërshtarët e tij politik, më konkretisht presidentin Ilir Meta dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi që e kanë akuzuar se “po shet detin”.  Teksa i quan “patriotë të detit”, Rama shtoi se tani nuk do kenë më punë me këtë çështje pasi do marrë zgjidhje nga instancat ndërkombëtare.

“Kemi rënë dakord që çështjen e detit ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohet drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi “i” në bazë të ekspertizës dhe të drejtës ndërkombëtare të detit. Më vjen keq për patriotët e detit, por në këtë mënyrë duhet të gjejnë arsye të tjera, pasi çështja e detit nuk është për të bërë më propagandën e tyre anti-greke dhe as propagandë në Shqipëri dhe Kosovë. Të vetëvendosën në çështje të tjera”, u shpreh Rama.

 

Kryeministri paralajmëroi se bisedime shumë pozitive janë duke u zhvilluar mes dy vendeve për heqjen e ligjit të shumë-debatuar të luftës që Greqia ka ndaj Shqipërisë. Një përgjigje kjo që vjen edhe për protestën e zhvilluar sot nga PDIU dhe VV, e cila akuzonte Ramën se po shkon në drejtim të axhendës greke, duke harruar çështjen e ligjit të luftës. Po kaq pozitiv, lidhur me ligjin e luftës, ka qenë edhe vetë ministri i jashtëm, Nikos Dendias, i cili tha se është shumë i lumtur që këtë lajm të mirë po e jep pikërisht nga Tirana. “Kemi referuar çështjen e ligjit të luftës, kjo është anakronizëm, por do e zgjidhim së bashku dhe jam i lumtur që këtë po e them nga Tirana me urdhër të kryeministrit grek”, tha Dendia.

Gjithashtu, Rama bëri me dije se kanë nisur bisedimet mes dy qeverive për të organizuar një mbledhje të përbashkët për të trajtuar çështjet me rëndësi për njerëzit në të dyja anët e kufirit.

Artikulli paraprakNJË ORË MBLEDHJE ME SHTABIN NË PS/ RAMA: E TURPSHME QË KEMI METËN PËR PRESIDENT, KA DALË NGA SHINAT! PUNON PËR NJË PARTI TË DEGRADUAR NGA E CILA VJEN
Artikulli tjetërEUROSTAT: PRANVERA E 2020 ME RRITJE DRASTIKE VDEKJESH