Pasditen e sotme ka nisur në Korçë mbledhja e përbashkët e dy qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës. Kjo është mbledhja e katërt e dy qeverive të dy shteteve, ndërsa Rama u shpreh se objektiv është harmonizim i marrëdhënieve në funksion të integrimit në Bashkimin Europian.

Rama dhe Harandiaj deklaruan se do të ketë një unifikim të doganave mes dy vendeve, ndërsa do të firmosen 12 marrëveshje mes dy shteteve për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe politik. Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se nga mbledhja do të ketë rezultate konkrete, ndër të cilat hapja në portin e Durrësit e zyrës operacionale të Kosovës. “Dy qeveritë ritakohen pas më shumë se një viti ndaj është më se e natyrshme për një bilanc që të na mundësojë jo vetëm një reflektim se cfarë është arritur, por edhe një pamje për hapat e pritshëm. Analizë e përgjithshme. Rezultatet janë konkrete, janë të prekshme dhe shpresëdhënëse. Kemi strukturuar mënyrën e punës, kemi ngritur sekretariatin e përbashkët për punën ndër ministrore në funksion të zbatimit të marrëveshjeve. Heqje të barrierave tarifore, po punohet për hapjen e pikave të tjera doganore. Kemi ende punë për të bërë për të ulur më tepër kohën që qytetarët të kalojnë në kufi. Do të hapim zyrën operacionale të Kosovës në portin e Durrësit. Hapja e zyrës do të ndikojë në shkëmbimin tregtar mes dy vendeve.

Në Shqipëri operojnë 600 kompani nga Kosova, 2.7% volumi tregtar. Do të heqim barrierat doganore mes dy vendeve, por edhe me vendet e rajonit me gjerë. Le të punojmë që ky takim të çelë një tjetër kapitull jo vetëm në politikën rajonale, por edhe të integrimit në BE. Është në dorën tonë që historinë ta shkruajmë që nesër të flasë mirë për ne. Duhet vetëm të vendosim se cfarë do të shkruajmë dhe atë ta bëjmë realitet” deklaroi Rama. Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj theksoi se sfida e qeverisë së tij është lufta ndaj korrupsionit, ndërsa kërkoi nga Serbia njohjen e pavarësisë në fund të bisedimeve. “Sot në Kosovë parametrat flasin për më shumë rend dhe ligj, duhet të luftojmë korrupsion, pasi rrezikon Kosovën në shumë drejtime. Ne po luftojmë për ekonominë, me politikat fiskale, por edhe zvogëlimin e burokracisë, duhet të bëjmë më shumë punë në logjistikë. Kosova ballafaqohet me shumë sfida. Jemi të vendosur për dialogun me Serbinë, por e mendojmë në momentet finale dhe epilogu duhet të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia. Në dialog duhet të marrë pjesë edhe SHBA. Në planin rajon jemi të interesuar që të thellojmë marrëdhëniet me të gjitha vendet.

Në planin ndërkombëtar, Kosova është në vështirësi me njohjet dhe këtu kërkoj edhe njëherë se vetëm së bashku edhe Shqipëria mund të nda ndihmojë. 12 marrëveshjet që do të nënshkruhen deri në unifikimin e doganave” tha Haradinaj. Më poshtë mund të shihni memorandumet dhe marrëveshjet qe pritet të nënshkruhen sot: -Memorandum e mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e politikës se jashtme. Ky memorandum nënshkruhet nga ministri Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe homologu i tij nga Shqipëria, Ditmir Bushati. -Memorandum bashkëpunimi midis zyrës se kryeministrit të Shqipërisë dhe zyrës se kryeministrit të Kosovës për shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin për zbatimin e rregullimit më të mirë, vlerësimin e ndikimit dhe përmirësimin e praktikave të zhvillimit të politikave. Ky memorandum nënshkruhet nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe ministrja e Drejtësisë, Etlida Gjonaj. -Memorandum për bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme dhe marrëveshjen e bashkëpunimit në kuadër të bashkëpunimit në anëtarësimin evropian. -Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e diasporës. Marrëveshja nënshkruhet nga ministri Dardan Gashi dhe ministri Pandeli Majko. -Marrëveshje bashkëpunimi për qendrat kulturore në Diasporë. Edhe kjo marrëveshje nënshkruhet nga ministrat Gashi e Majko.. -Marrëveshje për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës në pension. Kjo marrëveshje nënshkruhet nga ministri Skënder Reçica dhe ministri Arben Ahmetaj. -Memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë-KIESA dhe Agjencisë Shqiptarë të zhvillimit të Investimeve-AIDA. Ky memorandum nënshkruhet nga ministri Bajram Hasani dhe ministri Arben Ahmetaj. -Marrëveshje për financimin dhe organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë. Marrëveshja nënshkruhet nga ministrja Lindita Nikolla dhe ministri Dardan Gashi. -Memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe ministrisë së Kulturës të Shqipërisë. Memorandumi nënshkruhet nga ministrat përkatës. -Protokoll për bashkëpunim teknik dhe ekonomik në fushën e bujqësisë për njohjen bilaterale të certifikatave veterinare dhe produkteve me origjinë shtazore dhe jo shtazore. Kjo marrëveshje nënshkruhet nga zv/ministri i Bujqësisë, Vesel Krasniqi dhe ministri I Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural,Niko Peleshi. -Memorandum mirëkuptimi për themelimin e bursës së përbashkët të energjisë elektrike të Kosovës dhe Shqipërisë. Memorandumi nënshkruhet nga ministri Valdrin Lluka dhe zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli.

Artikulli paraprakFËMIJA NË GJENDJE TË RËNDË, U RRËZUA NGA KATI I TRETË
Artikulli tjetërSHKON TË BISEDOJË ME DHËNDRIN QË I DHUNONTE VAJZËN, E PESON NJELLOJ