
Në 3 vitet e fundit, numri i shqiptarëve që shkojnë me gomone në Britaninë e Madhe është ulur me 95%, por si u arrit ky sukses? Gjatë vizitës në Londër, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për emisionin The World Tonight në BBC Radio 4, ku tregon se si arritën të zmbrapsin trafikun e shqiptarëve me gomone drejt Britanisë, ndërsa edhe njëherë tregohet i prerë duke theksuar se vendi ynë nuk e ka në plan të ngrejë qendra kthimi të kërkuara nga Britania e Madhe për të luftuar emigracionin e paligjshëm.
Shefi i qeverisë thotë se Shqipëria dhe Britania e Madhe krijuan një ekip të përbashkët, një Task Forcë për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe shkëmbimi i informacioneve në kohë reale solli edhe suksesin. Për të luftuar me “ndërmarrje shumëkombëshe”, siç Rama i quajti rrjetin e trafikantëve, ai thotë se duhet të ishin po aq të shpejtë dhe interaktivë sa ata.
“Duhet të jemi po aq të shpejtë sa ata, dmth trafikantët. Duhet të jemi po aq interaktivë sa ata, duhet të jemi po aq të bashkuar sa ata, sepse nuk është fjala për një grup të vetëm etnik që merret me të gjithë rrjetin, por për një ndërmarrje shumëkombëshe”, u shpreh Rama.
Problemin e emigracionit me të cilin po përballet dhe Britania e Madhe dhe që të gjithë kryeministrat britanikë po përpiqen ta luftojnë, kryeministri Edi Rama nuk e sheh tek qendrat e kthimit. Ai thotë se këto qendra kthimi, edhe në rast se do të ngriheshin në Shqipëri, nuk do të ishin zgjidhje për Britaninë e Madhe. Nga vendet e rajonit, vetëm Kosova është shprehur e gatshme të ngrejë qendra kthimi për emigrantët e Britanisë.
Në këtë pikë, kryeministri Rama nuk i shpëton as një pyetje për marrëveshjen me Italinë, për qendrat e emigrantëve të ngritura në Gjadër. Por kryeministri përgjigjen e ka të qartë dhe thotë se marrëveshja me Italinë ishte unike dhe erdhi vetëm për shkak të raportit shumë të veçantë mes dy vendeve.
“Me Italinë ishte një marrëveshje unike, kjo ndodhi për shkak të marrëdhënies sonë shumë të veçantë me Italinë, dhe në atë marrëveshje e bëra shumë të qartë: ne i ofrojmë Italisë një copë toke tonën që ju ta menaxhoni për projektin tuaj. Ajo copë toke është juridiksion italian”, tha Rama.


