
Kryeministri Edi Rama riktheu këtë të martë rubrikën “Sy m’sy”, si një hapësirë e posaçme komunikimi për t’iu përgjigjur sa më shumë qytetarëve që komentojnë në rrjetet sociale për çështje të ndryshme të aktualitetit.
Fillimisht Rama lajmëroi se ka filluar puna për Samitin e NATO-s në Shqipëri.
Rama deklaroi se Shqipëria po vijon me ritëm procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe se së shpejti pritet të hapet një tjetër grup kapitujsh. Ai theksoi se qëllimi mbetet hapja e të gjithë kapitujve brenda një afati të arsyeshëm.
Duke u ndalur te Samiti i Komunitetit Politik Evropian, i mbajtur së fundmi në kryeqytetin shqiptar, Rama e cilësoi atë si një sukses të jashtëzakonshëm, jehona e të cilit vazhdon ende në korridoret e politikës evropiane.
Ndërkohë, kryeministri konfirmoi se ka nisur puna për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë, një ngjarje që kërkon përgatitje shumëvjeçare. “Grupi i inspektimit nga NATO në Bruksel ka ardhur për të analizuar opsionet dhe për të inventarizuar kapacitetet tona logjistike dhe infrastrukturore,” tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se janë në diskutime me organizatorët për të sjellë në Shqiperi eventin “The Globe Soccer Awards”.
“Ndërkohë jemi në një diskutim së fundmi për të sjellë në Tiranë 95% në Tiranë, sepse jemi duke diskutuar si opsione dhe Durrësin dhe Vlorën, edicionin evropian të çmimit të globit të futbollit, eveniment i jashtëzakonshëm që mbahet në mënyrë të përvitshme sa i përket vetë edicionit global në Dubai dhe për edicionin evropian, organizatorët janë në një diskutim me Madridin dhe me ne. Kemi shumë arsye të besojmë se zgjedhja do të bjerë mbi ne dhe do të jetë fantastike që psh çmimin e futbollistit më të mirë të vitit nga Globe Soccer Yamalit fjala vjen t’ja japim këtu në Tiranë. Po punojmë edhe me Padel International, është një tjetër aktivitet i jashtëzakonshëm që ka mbulim të jashtëzakonshëm mediatik në të gjithë botën dhe po punojmë që të sjellim në Shqipëri një edicion të tij.”, tha Rama.
Gjithashtu Rama foli edhe për investimet e huaja duke thënë se janë në diskutime në fushën e zhvillimit ekonomik, turizmit, teknologjisë si edhe inteligjencës artificiale.