Kongresi i Partisë Socialiste do të mbahet në muajin e parë të 2016, sikundër edhe ishte parashikuar.

Vendimi është marrë në mbledhjen që pati paraditen e sotme kreu i kësaj partie, njëherësh dhe Kryeministër i vendit Edi Rama me kordinatorët e PS. Në takimin që zgjati rreth një orë, ishin të pranishëm Ministri i Brendshëm Tahiri, deputeti Balla, kryebashkiakët e Durrësit dhe Vlorës Dako dhe Leli, Ministrja Nikolla, dhe deputetët Ulsi Manja dhe Koço Kokëdhima. Ky i fundit kishte propozuar shtyrjen e mbajtjes së Kongresit. Përmes një platforme 45 faqëshe për riorganizimin e strukturave të PS të publikuar pak ditë më parë, Kokëdhima theksonte se Kongresi duhet mbajtur në fund të muajit prill dhe jo në janar sikurse ka përcaktuar Asambleja e PS. Kjo datë sipas tij vjen si rezultat i disa proçesve që duhet ti nënshtrohet partia, si trajnimi i grupeve të punës në organizatat socialiste, zbatimi fushatës së pranimeve në PS, formimi i Asamblesë në gjysmën e dytë të shkurtit dhe mbajtja e Forumit të Gruas në mars.