
Rama letër këshilluese partive shqiptare në Maqedoni
Qeveria e Tiranës ka hartuar një letër këshilluese që do të shkojë në drejtim të liderëve të partive shqiptare në Maqedoni, ku ka një sërë udhëzimesh në lidhje me mënyrën se si duhet të veprojnë këto forca politike në procesin e formimit të qeverisë së re të Shkupit. Letra do t’iu dorëzohet liderëve nga Kryeministri Rama ditën e enjte. Në këtë shkrim, shefi i ekzekutivit, u kërkon partive shqiptare që të ushtrojnë presion në sensin e mirë të fjalës për të garantuar respektimin e të drejtave të popullsisë shqiptare në Maqedoni. Kryeministri Edi Rama, po përgatit një letër këshilluese që do t’ua dorëzojë liderëve shqiptarë në Maqedoni, në lidhje me mënyrën se si duhet të veprojnë në procesin e formimit të qeverisë së re. Shefi i ekzekutivit do t’u kërkojë përfaqësusve që të ushtrojnë presion në sensin e mirë të fjalës, për të garantuar respektimin e të drejtave të shqiptarëve, në mënyrë të barabartë me ato të maqedonasve. Në zgjedhjet e parakohshme paralamentare të këtij viti, asnjë nga dy partitë e mëdha në Maqedoni nuk ka arritur që t’a formojë e vetme shumicën e nevojshme për të formuar një kabinet qeverisës. Kjo situatë, bën që roli vendimarrës i partive shqiptare të rritet ndjeshëm, pasi zgjedhja e tyre mund të përcaktojë edhe kahun e pushtetit. Për këtë arsye, shqiptarët e Maqedonisë dhe ekspertët kanë kërkuar nga liderët politikë që të kenë një qëndrim të unifikuar në momentin kur të bëjnë zgjedhjen e tyre, me qëllim që të bëjnë të mundur garantimin dhe zbatimin e të drejtave të popullsisë shqiptare. Bashkimi Demokratik për Integrim mori i pari iniciativën për të thirrur në një tryezë të përbashkët lidërët, por jo të gjithë pranuan që të merrnin pjesë në bisedime. Ndërkohë, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, në një prononcim të bërë gjatë orëve të fundit, u shpreh se forca politike e drejtuar prej tij ende nuk ka marrë një vendim se me cilën parti do t’i bashkojë mandatet e fituara. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet partia më e madhe shqiptare në Maqedoni, pasi ka arritur të fitojë dhjetë vende në sallën e parlamentit, e ndjekur nga Lëvizja BESA me pesë, Lëvizja për Shqiptarët me 3 dhe PDSH-ja me vetëm dy mandate. Letra e përgatitur nga Kryeminsitri Edi Rama vjen vetëm pak pas një takimi të thirru në Tiranë nga kreu i ekzekutvit shqiptar.






