Mbledhja e koordinatorëve të PS-së me kryetarin Rama ka konkretizuar disa afate të reja për zhvillimin e punëve në parti.

Ndryshe nga ç’ishte parashikuar nga Asambleja që procesi zgjedhor në bazë të përmbyllej në dhjetor, dhe në janar të mblidhej kongresi, vonesat kanë shtyrë afatet. Kështu, procesi i zgjedhjes së kryetarëve të organizatave do të përmbyllet brenda muajit janar, teksa është lënë të punohet për përgatitjen e kushteve që brenda këtij muaji të mund të zgjidhen kryetarët e partisë për 61 degët e PS-së, që përbëjnë 61 bashkitë e vendit. Në ato bashki ku procesi i zgjedhjeve në organizata ka mbaruar, nuk mund të zhvillohen ende zgjedhjet për kryetar pasi procesi do të zhvillohet në një ditë të vetme për të gjitha bashkitë e vendit. Përcaktimin e numrit te delegateve do të bëhet sipas kritereve te përcaktuara ne asamble  në korrik të vitit të shkuar, sipas parimit 1 delegat për 100 anëtarë partie dhe do të respektohet kuota gjinore 50% gra, nismë kjo e paraqitur nga kryeministri Rama. Deputetët dhe kryebashkiakët nuk do të lejohen të garojnë për postin e drejtuesit të degës së bashkisë për Partinë Socialiste. Vendimi i asamblesë së PS-së i konsideron këto pozicione të papajtueshme, madje ka vendosur që kreu i PS-së të mos jetë i punësuar në pozicione drejtuese shtetërore, por të jetë një i punësuar i partisë, që do të paguhet me fondet  e kësaj të fundit. Ky rregull përjashton nga e drejta e rizgjedhjes, një grup deputetësh dhe kryebashkiakësh që aktualisht po drejtojnë disa degë të rëndësishme të PS-së. Kështu, deputeti Namik Kopliku, i cili deri më tani drejton degën e  PS-së për Shkodrën, nuk do të jetë më pjesë e garës. Ndërkohë, individë me kontribute ndër vite në PS, apo të ardhur rishtaz dhe me ambicie, kanë filluar të lobojnë brenda anëtarësisë së njësisë.