Kryeministri Edi Rama e nisi vizitën e tij në SHBA, ku ndodhet në kuadër të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, me një takim me komunitetin shqiptar në Michigan,

Rama solli në vëmendje një fakt simbolik nga Michigan-i, ku, siç tregoi ai, disa vite më parë ishte regjistruar për herë të parë një flamingo si vizitor. Duke e lidhur këtë edhe me debatin që flamingot kanë nxitur në Shqipëri në lidhje me mjedisin, ekonominë dhe zhvillimin, Rama tha se kjo tregon një ndryshim të vetë shoqërisë shqiptare. Sipas tij, shqiptarët nuk jetojnë më me logjikën e vjetër se “ka dhe më keq”, por gjithnjë e më shumë kërkojnë që gjërat të bëhen më mirë.

Një pjesë të veçantë të fjalimit kryeministri ia kushtoi diasporës. Ai e përshkroi diasporën e deridjeshme si “një det të madh energjie”, por pa mekanizma të mjaftueshëm për të kanalizuar mundësitë dhe kontributet e saj.

“Tani ju në Shqipëri nuk dërgoni më para për bukë apo për ilaçe, për mbijetesë. 90 për qind e familjeve kanë përfituar këto 35 vjet së paku një herë nga diaspora shqiptare. Tani ne nuk jemi një vend mbijetese, por një vend shprese. Ambasadorët më të mirë të Shqipërisë këtu janë shqiptarët që i ngrenë emrin Shqipërisë. Sot vizitova një biznes shqiptar në SHBA, ku dola në fotografi së paku me 40 bjonde amerikane. Nuk besoj se ka gjë më domethënëse për Shqipërinë se kjo”, tha Rama.

Kryeministri dha gjithashtu një lajm të rëndësishëm për shqiptarët e Michigan-it, duke njoftuar se qeveria është gati të hapë një konsullatë shqiptare në këtë shtet.

“Shqipëria duhet të jetë pranë jush sa herë keni nevojë për të. Shqipëria ka një derë tani kur ju të keni nevojë për çështje konsullore”, shtoi Rama.

Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke deklaruar se Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe po hyn në fazën e mbylljes së tyre.

“Shqipëria është në fazën që ka hapur gjithë kapitujt dhe po hyn në fazën e mbylljes së tyre, që më 2030 të mbarojë kapitulli i hyrjes në BE”, tha kryeministri.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakJAVA NIS ME SHI, RESHJE NË TË GJITHË TERRITORIN DHE SHTRËNGATA TË IZOLUARA, PARASHIKIMI I MOTIT PËR KËTË TË HËNË
Artikulli tjetërSHQIPËRIA KALON BE-NË NË ÇMIMET E USHQIMEVE, POR MBETET SHUMË PAS NË FUQINË BLERËSE