Vrapimi drejt së ardhmes’. Përmes këtij slogani, Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot rrugëtimin e Partisë Socialiste dhe kandidatëve të saj drejt zgjedhjeve të 25 prillit.

Në fjalën e tij Rama u bëri thirrje të gjithë socialistë që nga ky moment të vrapojnë në sulm për Shqipërinë e së ardhmes, sipas tij për ta mbrojtur vendin tonë nga ata që duan të kthehen në qeveri me të njëjtat fytyra por më të rrudhura dhe më të lodhura, duke iu referuar opozitës.

Në një aktivitet ku marrin pjesë gjithë kandidatët në 12 qarqet e vendit, Rama në fillim të fjalës së tij ka përmendur 2 simbolet e PS-së në këto zgjedhje, Luljeta Bozon dhe Najada Çomon.

“Për Shqipërinë që është e ardhmja jonë! Faleminderit Luljetës dhe Najadës, dy heroinave të këtyre kohëve, 2 grave të forta, pasionante, vullnetare të vijës së parë. Janë identitet të dy sfidave tona më të vështira, që i kemi përballuar dhe do t’i përballojmë me sukses, rindërtimin dhe luftën me armikun e padukshëm.

Me shumë mirënjohje për të dyja dua që të gjithë ta shohim dhe të gjithë ta ndjejmë arsyen e fortë pse këto 2 mikesha të shqiptarëve janë këtu me ne sot dhe do të jenë 4 vitet e ardhshme. Për herë të parë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë pensionistët do të përfaqësohen nga një prej më të mirave të tyre.

Gjithashtu për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë do të ulet një stërgjyshe e cila padyshim do të jetë në këtë rrugë edhe për një cilësi tjetër, cilësia e një njeriu që ka jetuar me profesionin e vet dhe që ka shkëlqyer në profesionin e vet.

Ndërkohë që këtu ka shumë të tjerë dhe të tjera për të cilët Luljeta Bozo është frymëzim. Nga ana tjetër Najada është deputetja e heronjve tanë, e heronjve shqiptarë në këtë luftë që ka përfshirë mbrë botën. Është edhe përfaqësuesja e denjë e një përpjekje tërësore ku humbën jetën disa kolegë të saj në këtë përballje”, tha Rama.

Artikulli paraprakMETA KOMENTON RAPORTIN E ”HERITAGE”: SHQIPËRIA RRËSHQITJE TË FRIKSHME NË PIKIATË TË LIRISË EKONOMIKE
Artikulli tjetërTOPALLI PREZANTON KANDIDATËT E PARTISË “LËVIZJA PËR NDRYSHIM” NË ELBASAN DHE NË SHKODËR: MISIONI ËSHTË TË LARGOJMË TRE KRYETARËT E PARTIVE