Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa foto me momente nga vizita e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen në Tiranë. Von der leyen e nisi turin ballkanik nga Shqipëria, ndërsa Rama krahas fotove shkruan se tashmë vendi ynë është ulur në tryezën e negociatave për anëtarësimin në union.
“Mirëmëngjesi dhe me fotoalbumin e vizitës së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dje në Tiranë në nisje të turit të saj ballkanik nga Shqipëria e ulur në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Një ditë më parë, Von der Leyen u prit nga kryeministri Edi Rama. Një javë pasi Shqipëria u ul përballë delegacionit të BE dhe hapi negociatat për grup kapitujt e parë me Shqipërinë, Presidentja e Komisioni Europian Ursula von der Leyen tha nga Tirana, se brenda 2025 të gjithë grupkapitujt mund të hapen. Ajo shmangu një koment për arrestimin e Ilir Metës, por vlerësoi punën e shkëlqyer të reformave, veçanërisht ajo në drejtësi.
Po ashtu, kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, morën pjesë në ceremoninë hapëse të vitit të parë akademik, të Kolegjit të Europës në Tiranë, në kampusin, i cili mban emrin e politikanit të shquar francez, ish President i Komisionit Europian, Jacques Delors.