Kryeministri Edi Rama, ndodhet këtë të enjte në Elbasn, ku po shpjegon për qytetarët, ligjin për bashkëqeverisje. Kreu i qeverisë, tha se 95% e shërbimeve shtetërore do të ofrohen online, ndërsa shtoi se sfida e tyre është që në vitin 2022 të mbyllin sportelet.

Në këtë formë sipas Ramës do të minimizohet ryshfeti dhe do të shkurtohet në kohë shërbimi për qytetarët.

“Në 2022 në Shqipëri të mbyllen sportelet. Kemi ende disa punë për të bërë dhe ta garantojmë qytetarin që ta gjejë atë që kërkon. Ata që janë mësuar që rrinë te sporteli duke kapur lekë do ta kenë të mbyllur përpara syve sportelin dhe do të jenë nëpër zyra. Keni nevojë për kadastrën, e bën aplikimin nga kompjuteri dhe është kadastra që duhet të thotë hajde mere filan datë. Nëse kadastra s’e thotë këtë ke platformën Shqipëria që duam.al që për pak javë do të jetë ligj. E në momentin që thua ja ku është aplikimi dhe afati kur duhet të më vonojë përgjigja, në atë moment vihet në lëvizje mekanizmi dhe zyra e kadastrës mban përgjegjësi.

Kjo është temë tjetër. Tema sot është se si të bëjmë që bashkërisht, ne dhe ju, qeveria, institucionet dhe qytetarët të ecim nga marrëdhënia mes tyre ryshfetin e administratës. Kjo është e mundur. Mjafton që ti si qytetar nuk do të shkosh në sportel. Ndërkohë, duke qenë se në sportele ju kanë zvarritur me vite nuk të kushton gjë që ta provosh. Në fazën e parë do të ketë edhe vonesa, sepse do të ketë edhe njerëz që nuk e ndjekin ritmin.

Do e heqim nga faqja e dheut bakshishin për të marrë dokumente. Nëse do të arrijmë këtë atëherë do të arrijmë edhe tjetrën. Nëse qytetari mësohet se shtetin e ka në xhep dhe me një klikim merr atë që do, atëherë do të jetë shumë i pa durueshëm kur i shfaqet dikush që i kërkon lekë. Kjo e para është e domosdoshme dhe duhet që qytetarët të marrin mesazhin shumë të qartë. Duke bërë këtë provë do të heqësh sikletin dhe e dyta, sfidohet qeveria, administrata që të përgjigjet. Nëse këto nuk rezultojnë reale është e lehtë të kthehesh te sporteli, por këtë duhet ta provojmë bashkë. Është e vështirë të kapërcehet tradita e vajtje-ardhjeve, kaq lehtë. Por është e mundur. Kemi investuar për 8 vite për të ardhur në pikën që jemi gati.

Sot jemi gati. Fati ynë është që jetojmë në këtë kohë që na ka dhënë mundësinë, e kam fjalën për digjitalizimin. Në disa vite mund të bëhet një kapërcim i viteve. Arsyeja e kësaj fushate sensibilizuese është për t’ju thënë që nuk kemi më nevojë për sportele. Ato janë mortja e këtij vendi, të gjithë e dini se çfarë keni hequr atje”, tha Rama.

Artikulli paraprakU KAP ME ASISTENTEN, FLET PËR HERË TË PARË ISH-MINISTRI ANGLEZ: SHKATËRROVA JETËN TIME!
Artikulli tjetërDETAJE TË REJA NGA ATENTATI NDAJ PASHKO UJKËS/ BORXHI PREJ 30 MIJË EUROSH SHKAKU