Sot është dita e dytë e vaksinimit anti-COVID në Shqipëri. Sot do të marrin dozën e parë të vaksinës epidemiologët nga Tirana, Durrësi, Kruja e Kavaja.

Stadiumi ‘Air Albania’ është shndërruar në një qendër të madhe shëndetësore ku do të presë dhjetëra persona. Stadiumi është rrethuar nga shirita si edhe forca policore për të ndaluar hyrjen e personave të pa autorizuar. Sot, njëjtë si dje, do të vaksinohen rreth 50-60 personel shëndetësor.

Si është procesi? Para vaksinimit, qytetari duhet të plotësojë një formular ky duhet të përgjigjet lidhur me disa pyetje, bashkangjitur së cilës ka edhe disa informacione shtesë lidhur me vaksinën.

Më pas, pozicionohet në një nga 60 postacionet dhe merr dozën e parë. Pas marrjes së vaksinës është e detyrueshme që pacienti të qëndrojë për 20-30 minuta në monitorim nga ana e bluzave të bardha. Në fund, qytetari duhet të kthehet pas 21 ditësh për të marrë dozën e dytë, për të cilën theksohet se nëse nuk merret vaksina nuk ka efektin që pritet.

Vaksinimi në Shqipëri nisi ditën e djeshme, ku e para që bëri vaksinën ishte Shefja e Infektivit, Najada Çomo, për t’u ndjekur nga kryeministri Edi Rama dhe mjekët Pëllumb Pipero dhe Tritan Kalo.