Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përmbylli këtë të mërkurë fushatën elektorale në Fushë Krujë, ku iu drejtua qytetarëve me thirrjen për të mbështetur PS-në në zgjedhjet e së dielës, më 11 maj. Në fjalimin e tij, Rama theksoi se në këtë qytet vijnë me ndjenjën e krenarisë, pas një mandati gjatë të cilit, sipas tij, janë realizuar shumë punë konkrete.

“Pas katër vitesh kthehemi këtu me kokën lart, duke pasur arritur një sërë objektivash gjatë këtij mandati. E nisëm me përkushtimin për të ndihmuar familjet që u prekën nga tërmeti i rëndë, të cilat mbetën pa strehë brenda pak sekondash. Sot kemi përmbyllur procesin e rindërtimit, duke shpërndarë 350 apartamentet e fundit, të cilat u mbajtën në pritje për shkak të rregullave të fushatës. Menjëherë pas zgjedhjeve, në Krujë do të ndahen shtëpitë e fundit, duke e çuar totalin në 1100 banesa të reja, të dhëna falas për qytetarët që tani janë pronarë të ligjshëm dhe pa asnjë detyrim financiar ndaj shtetit,” u shpreh Rama.

Ai shtoi se edhe pse fatkeqësitë natyrore nuk mund të parandalohen, përgjigjja ndaj tyre duhet të jetë dinjitoze dhe e përgjegjshme. Rama përmendi ndërtimin e 17 shkollave të reja në këtë zonë si një tjetër arritje që, sipas tij, tregon përkushtimin e PS-së ndaj komunitetit.

Sa i përket infrastrukturës, ai theksoi se ëndrra e kahershme për të pasur një lidhje rrugore direkt mes Krujës dhe Tiranës tashmë është përfshirë në programin e qeverisë. Gjithashtu, ai premtoi se edhe rruga që lidh Fushë Krujën me Krujën do të përmirësohet në një afat të arsyeshëm kohor.

Artikulli paraprakMBËRRIJNË MATERIALET ZGJEDHORE NË LEZHË
Artikulli tjetërDREJT FUNDIT TË FUSHATËS, PS MBAN TË PREMTEN MITINGUN PËRMBYLLËS NË FUSHËN PRANË PARKUT OLIMPIK, PD TE BULEVARDI I RI