Prej ditës së djeshme, kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjermani. Kreu i qeverisë, së bashku me Zëvendëskancelarin gjerman, Robert Habeck, do të jenë oratorët kryesorë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit të Karlit të Madh për vitin 2024.
Ky event prestigjioz do të mbahet sot më 9 maj në Sallën e Kurorëzimit të Ndërtesës së Bashkisë së Aachenit.
Që nga viti 1950, Çmimi i Karlit të Madh ka nderuar individë dhe institucione që kanë kontribuar në bashkimin dhe përparimin e Evropës. Ndër fituesit e mëparshëm janë figura të tilla si presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, presidenti francez, Emmanuel Macron apo Papa Françesku.
Këtë vit, çmimi i jepet kryerabinit Pinchas Goldschmidt, President i Konferencës së Rabinëve të Evropës, për rolin e tij të rëndësishëm në promovimin e dialogut dhe tolerancës ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare në Evropë.