Kryeministri Edi Rama foli sot në një konferencë për media për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, mbrëmjen e kaluar, duke thënë se skuadra e PS shkon përtej partisë së tij.

Që në nisje të fjalës së tij, Rama tha se dje u shpallën ‘formacionet e ndeshjes’, ndërsa zbuloi dhe sloganin e partisë së tij të 25 prillit, që është “Shqipëria, e ardhmja jonë”.

“Dëshiroj të bëj një përmbledhje të ditës së djeshme si një moment, ku është bërë shumë i qartë dallimi mes formacioneve që hyjnë në fushë. Së pari, pas një procesi jo të shkurtër konsultimesh me publikun përmes anketimeve, fokus grupeve dhe kontakteve me kategori të ndryshme, kemi arritur në konkluzionin që “Shqipëria, e ardhmja jonë”, është motoja që karakterizon më mirë se sa disa opsione të tjera që kishim përpjekjen tonë për mbajtjen e kësaj përpjekjeje dhe orientimin e kësaj përpjekjeje.

Shqipëria e 2030 do të jetë zgjedhja e parë e cdo shqiptari dhe jo emigracioni të jetë zgjedhja e shumëkujt që për 1001 arsye legjitime preferon emigracionin dhe jo Shqipërinë. Natyrisht është e bukur dhe e lehtë ta thuash, por shumë e vështirë ta bësh, por besoj se i kemi të gjitha mundësitë, eksperiencën dhe kapacitetet njerëzore që të realizojmë këtë

ambicie hap pas hapi dhe që t’iu krijojmë shqiptarëve mundësinë e një jete të denjë, si dhe t’iu japim mundësinë emigrantëve të investojnë këtu, të kthehen dhe të ndërtojnë jetën këtu. Kështu hap pas hapi Shqipëria e kësaj dekade ta kapërcejë këtë fazë të përkufizuar nga emigracioni.

PS e mishëron formacionin e saj më shumë se asnjëherë më parë me karakterin e vet shoqërisë. Ne kemi një skuadër që shkon përtej PS dhe që reflekton fuqinë tonë të vetëndryshimit, e cila është pika e parë e manualit të PS, që lindi nga një fuqi vetëndryshimi në kushte historike dramatike dhe që nën drejtimin e Fatos Nanos e pati pikë referimi vetëndyshimin.

Gjatë gjithë periudhës së drejtimit tim jam përpjekur ta gdhend dhe ta bëj më të thellë këtë bindje dhe jam i bindur që kjo është e vetmja mënyrë për një parti për t’i rezistuar kohës, për të qenë konkurrente dhe për të mos u kthyer në një forcë që rrezaton vetëm vetveten dhe jo shoqërinë”, deklaroi kryeministri Rama.