Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në asamblenë e Partisë Socialiste të Shkodrës.
Kreun e qeverisë e priti deputeti Paulin Sterkaj dhe pak më tutje i shkëputur deputeti Namik Kopliku ndërsa munguan pjesa tjetër e deputetëve. Asambleja e PS u mblodh për të nisur organizimin për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. Gjatë takimit kryeministri ka kërkuar më shumë përgjegjësi për institucionet që drejtohen nga socialistët duke thënë se do të ketë edhe një analizë që do të bëhet për çdo institucion duke i kërkuar drejtorëve rajonal që të jenë më të hapur ndaj publikut dhe të japin më shumë shërbime. Gjatë mbledhjes një fjalim ka mbajtur Edmond Tërthorja duke zbuluar edhe pezullimin e tij në krye të inspektoriatit të mjedisit në Shkodër dhe zëvendësimin nga Fatmir Shpellza që vjen nga radhët e LSI. Tërthorja ka kërkuar që të dijë se cilat janë arsyet dhe përse ka ndodhur kjo lëvizje ndërsa ka deklaruar përpara kryeministrit se LSI në këtë mënyrë po forcohet duke patur shumë pushtet dhe frikën se socialistët mund të largohen nga puna për t’u zëvendësuar me anëtarë të LSI. Po ashtu është bërë e ditur emërimi i Genc Spahisë si drejtori i ri në hidrocentralin e Vau Dejësit në vend të Kujtim Prronit që dha dorëheqjen para pak ditëve. Gjatë fjalës së tij i ka bërë të ditur se koordinatori në zgjedhjet e 2017 për Shkodrën do jetë Sokol Cubi. Ish-kryekomunari i Pultit ndërsa ka justifikuar mungesën e të deleguarit Ditmor Bushati. Kryeministri për afro 5 minuta i ka bërë të ditur socialistëve të Shkodrës se këtë herë në 2017-ën e kanë shumë të lehtë të fitojnë zgjedhjet sepse në kryebashkiakja Voltana Ademi është e paaftë në drejtimin e bashkisë dhe se nuk ka bërë asgjë për qytetin. Në dalje kreu i qeverisë nuk pranoi që t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve duke u larguar drejt Malësisë së Madhe. Kryeministri do jetë dy ditë në Shkodër teksa pas Malësisë së Madhe do ketë takime edhe në Vau Dejës dhe rrethin e Pukës.