
Nga Shkodra, ku po zhvilloi një takim me sipërmarrësit e vegjël, kryetari i PS Edi Rama tha se duhet të bëhet një marrëveshje mes qeverisë dhe bashkisë për artin dhe kulturën në këtë qytet.
“Kam folur edhe me Benetin, ne duhet të ecim me një program të përbashkët të qeverisë dhe bashkisë specifikisht për artin e kulturën të përqendruar në Shkodër, pasi arti dhe kultura këtu kanë një traditë dhe pasi e kombinuar me elementë të tjerë që ka zona, mund të bëjnë një punë të madhe për më shumë turizëm, për më shumë biznes. Dhe nuk e di sa e keni marrë vesh që para pak ditësh Marubi, arkivi i Marubit u vulos si pasuri. Do të themi që jo vetë me fjalë por edhe me ligj, me dokumente dhe vulë e firmë, Shkodra ka kontribut në kulturën e botës dhe jam shumë krenar për këtë pasi e kemi kapur në zgrip arkivin.
Ka qenë në fije të perit, i mbytur në ca zgëqe nëpër thasë. E ndërtuam Muzeun dhe kemi nën kontroll arkivin me laborator e të gjitha por përtej ndjeshmërisë dhe vullnetit tonë në Tiranë, dua që t’i njoh meritën një djali nga Shkodra, drejtorit të Muzeut, Luçianit, i cili do të mbetet në historinë e qytetit si njeriu që shpëtoi arkivin dhe Shkodrën nga një turp i madh kombëtar dhe Shqipërinë.”, tha Rama.