Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se deri në fund të mandatit të tretë paga minimale do të bëhet deri në 40 mijë lekë, e ndërsa nga 1 janari për këtë pagë nuk do të taksohet. Rama ka sqaruar gjithashtu se do të taksohen me 23% kush paguhet mbi 2.5 mln lekë në muaj

“Nuk kanë një plan për të qeverisur, por një menu për të marrë vota. Ne do sigurojmë pagën minimale në 40 mijë lekë deri në fund të mandatit të tretë. Në janar do e heqim taksën për pagën deri në 40 mijë lekë, duke nisur nga ky vit 63% e të punësuarve nuk do të kenë taksë mbi pagën, të gjitha do i çojnë në shtëpi. Ka një kategori të të punësuarve marrin 1.5 mln në muaj, do e ulim tatim fitimin për ata që marrin 2.5 mln në muaj”, tha Rama

Kryeministri Rama është shprehur sot se shqiptarët do i japin PS-së mandatin e tretë sepse sipas tij ‘reformat i çojmë përpara vetëm ne’.

“U ka bërë bisht të vështirave populli e ka lënë PS-në në baltën e vet. Sot kur ne duam një mandat të tretë populli është gati të na mbështesë. Jo se kemi bërë gjithçka mirë dhe se sovrani nuk ka pakënaqësi ndaj nesh. Ka dhe me të drejtë. Por populli është gati të na mbështesë sepse populli e di që ne nuk kemi shmangur vështirësitë.

Reforma e energjisë, reforma e qeverisjes vendore që eliminoi 300 vatra taksash e vjedhjesh, reforma dixhitale, reforma e pronës që është futur më në fund në rrugë të drejtë, reforma në drejtësi e të tjera akoma. Nëse këto reforma do të ishin bërë më parë Shqipëria do të ishte shumë më ndryshe.

Sot të tëra këto reforma kanë hyrë në rrugë, e cila është e mundimshme por është e vetmja rrugë për ta çuar Shqipërinë përpara. Dhe e vetmja forcë që mund ta bëjë këtë jemi ne. Vizioni ynë për ta bërë Shqipërinë të ardhmen e çdo shqiptari.

Plani ynë i veprimit është një program qeverisë me masa dhe afate të caktuara. Programi i tyre është në menu dëshirash që ‘ta hajë kush ta hajë’. Ne themi sot në ‘Planin tonë të Veprimit’ që do të jetësojmë Shqipërinë e vitit 2030 dhe jo një plan për të joshur elektorat”, tha Rama.