Në 1 qershor Shqipëria i tha ‘Jo’ përdorimit të qeseve plastike, teksa hyri në fuqi vendimi për të ndaluar shitjen në çdo njësi tregtare të qeseve njëpërdorimshe dhe do të përdoren vetëm ato qese që kanë trashësi mbi 70 mikron. Kryeministri Edi Rama në një shkrim në rrjetet sociale thotë se është mirë që të shohësh që shumë tregtarë po zëvendësojnë qeset e dëmshme plastike, me qese letre. Në këtë mënyrë thotë Rama, mbrojmë Shqipërinë dhe fëmijët nga dëmi i frikshëm i qeseve plastike. Kreu i qeverisë, kujton po ashtu se në 1 korrik nis aktivizimi i gjobave.

“Kënaqësia e qeseve prej letre në pazaret e ditës. Sa mirë të shohësh që përditë e më shumë tregtarë po zëvendësojnë qeset e dëmshme plastike, me qeset e shëndetshme të letrës, ndërsa shumë blerës po marrin trasta për Pazar. Kështu mbrojmë Shqipërinë e fëmijëve tanë nga dëmi i frikshëm i qeseve plastike mbi mjedisin dhe shëndetin. Në 1 korrik nis aktivizimi i gjobave!”, shkruan Rama në Facebook.

Nisma ligjore u prezantua për herë të parë në vitin 2019 nga ministri i atëhershëm i mjedisit Blendi Klosi por që u shty prej pandemisë dhe kundërshtisë së bizneseve që prodhojnë dhe importojnë qese. Qëllimi është ulja e ndotjes së lartë të mjedisit, kryesisht të lumenjve e deteve, me plastikë që nuk riciklohet.

Artikulli paraprakMBYLLET PROCESI I NUMRIMIT NË PD SHKODËR, JA KUSH JANË 25 EMRAT FITUES
Artikulli tjetërFOTOGRAFËT NGA EUROPA VIJNË NË LIQENIN E SHKODRËS