Nga Apollonia, ku përfundoi rikonstruksioni i parkut arkeologjik, kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk është koha për të bllokuar rrugët.

“Është koha për ta zhbllokuar këtë rrugë dhe jo për të bllokuar rrugët e Shqipërisë, nuk është koha për të bllokuar njerëzit që duan të lëvizin lirisht në rrugët e vendit, nuk është koha për të bllokuar njerëzit që kanë punë, fëmijët, nxënësit, studentët, gjyshërit, gjyshet, mallrat, që janë gjaku i ekonomisë tonë çdo ditë, por është koha për të hapur përfundimisht rrugën e të bërit një shtet modern, demokratik dhe europian, ku secili në rrugën e vet duhet të jetë i garantuar në konkurrencë dhe i vlerësuar sipas meritës”, u shpreh Rama.

Ai tha se trashëgimia kulturore gjeneron të ardhura për zonat dhe turizmin. “Çdo monument kulture i restauruar është rritje ekonomike, çdo monument kulture i kthyer në identitet dhe i aksesueshëm për publikun është rritje e mirëqënies, dhe gjithë rrjeti i monumenteve të kulturës, që Shqipëria e ka të pasur, është në fakt një rrjet më vete i pazëvendësueshëm për të fuqizuar ekonominë dhe për të rritur mirëqënien, duke rritur punësimin”, tha Rama.