Kryeministri Edi Rama garantoi shqiptarët për vaksinën anti-Covid, dozën e parë të së cilës e mori vetë sot. Ai tha se është një lehtësim i madh për të dhe se shqiptarët nuk do presin më me ankth.

Me batutë për teoritë e konspiracionit Rama tha se ilirët nuk mund të bëhen vikingë dhe se nuk ka asnjë çip.

“Çdo gjë në rregull. Asnjë problem. Mendoj se është një ditë fantastike për faktin se jemi çliruar nga një barrë shumë e madhe. Barra e përgjegjësisë për të mos lejuar që shqiptarët të mbeteshin në rradhë dhe për të mundësuar, pavarësisht se, Shqipëria dhe rajoni ku ne bëjmë pjesë, nuk u përfshi në skemën e furnizimit të menjëhershëm, të fillonte me sa më pak diferencë kohe nga ata të cilët kanë dhe gurin dhe arrën në dorë dhe i marrin vendimet dhe bëjnë dhe furnizimet. Ky spostim fare pak javor në kohë është një lehtësim i madh për mua. Tani shqiptarët mund të presin pa ankthin a do vijë a s’do vijë vaksina. Vaksina nuk është e detyrueshme por e këshillueshme dhe duhet të çlirohen nga marrëzitë dhe helmet e burimeve të konspiracionit. Vaksina nuk i bën ilirët vikingë. Ilirët mbeten ilirë, dhe po ashtu është e sigurt që nuk futet çip në trup për të përgjuar thashethemet e kafeneve”, deklaroi Rama.