Kryeministri Edi Rama thotë se posti i ministrit është front beteje dhe jo restorant e për këtë arsye emrat e zgjedhur që janë të mandatuar nga zgjedhësit nuk mund të thonë jo.

Rama komentoi kabinetin e ri, si dhe vendosjen e ish-ministres Lindita Nikolla në krye të Kuvendit. Ai tregoi dhe bisedën me Gramoz Ruçin, teksa foli dhe për largimin e Erion Braçes dhe Lefter Kokës.

“Se kanë ditur fare, asnjëherë. Është ndryshe kur merr një ministër apo ministre jashtë partisë. Ata që janë të mandatuar e kanë detyrë, nuk është se mund të thonë ‘jo s’du’. Ky nuk është restorant, ky është një front beteje. Në këtë front beteje, kush është i mandatuar dhe ka ardhur për të përfaqësuar shumicën ka marrë përsipër të përfaqësojë shumicën.
Gramoz Ruçi ka bërë një fjalim që në këndvështrimin tim është një dokument i rëndësishëm dhe shumë i veçantë në historinë e Shqipërisë. Gramoz Ruçi është i pari në dijeninë time, në historinë e politikës shqiptare që largohet si fitues dhe largohet nga maja. Pasi ka fituar dhe fare mirë mund të qëndronte aty dhe nuk kishte asnjë diskutim që do ishte kryetar kuvendi, ai vendosi të largohej. Për arsye që i ka thënë. Absolutisht asnjë herë tjetër. Më ka thënë që unë këtu ndalem sepse jam 70 vjeç dhe është koha t’i kthej borxhin fëmijëve, familjes.
Me Braçen kemi folur paraprakisht, ka ardhur tek unë dhe më ka thënë unë nuk jam absolutisht barra e askujt, jam si deputet dhe mos ki asnjë shqetësim në raport me mua.
Lefter Koka? Ciklet nuk mbarojnë sipas sezoneve të emisionit ‘Opinion’. Votat i ka marrë PS, tërësinë e votave. Është një numër i caktuar vendesh, nëse dikush për shumë arsye dëshiron të kalojë stafetën, kalon stafetën. Ruçi ka bërë atë që nuk e ka bërë asnjëri në historinë e politikës shqiptare. Pasi fitoi sepse donte fitoren e PS.
Lindita Nikolla personi më i duhur për të gjithë kontributin që ka dhënë dhe ka një kontribut shumë të gjatë në PS. E ka filluar nga shkalla e parë e bazës deri këtu ku është sot. Një person që gjatë gjithë rrugëtimit të vet ka treguar përkushtim, seriozitet, ndershmëri. E kam parë në shumë raste, është një person i prirur për të folur me të gjithë dhe këtë e ka bërë në periudhën kur u hartua ligji i arsimit të lartë dhe është një grua zonjë që i shkon shumë mirë atij vendi”, deklaroi Rama.