Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit, deklaroi se skuadra e PS-së është një kombinim i mirë i eksperiencës dhe aftësive. Ai tha se PS-ja është e vetmja forcë që e ka idenë se si mund të arrihet atje ku duhet.

Mes të tjerash ai nuk i kursye ironitë për opozitën, duke e cilësuar si një grup konglomeratësh të dështuar.

“Ne jemi e vetmja forcë që kemi idenë se si mund të arrijmë aty ku duhet. Përtej këtyre dy sfidave të mëdha në sytë e të gjithëve, në të gjithë drejtimet e tjera ne jemi në gjendje të themi se çka është bërë, është një provë e faktit që ne e dimë se ku duhet të shkojmë dhe se si do të shkojmë aty ku duhet. Për të bërë të ardhmen e fëmijëve tanë, më të mirë. Skuadra jonë është një kombinim i eksperiencës, i aftësive të fituara në një rrugë të përbashkët, sfidash dhe betejash, apo energjive të reja, që vijnë dhe nga gra e vajza, djem e burra, që janë bashkuar për këtë ndeshje në 25 prill. Jam i bindur se ne kemi kapacitete qeverisëse të plota, të shuara në gjithë këtë periudhë kohe kur kemi drejtuar vendin prej 7 vitesh e kusur dhe kërkojmë që të kemi një mandat të tretë. Një mandat i tretë që i duhet vendit për të bërë të pakthyeshëm çdo proces transformimi. Kur drejtimi shkon në krahun e atyre që janë përballë nesh, gjërat për vendin nuk shkojnë në drejtimin e duhur. Shumë çka mund të ishte bërë ndryshe, dhe ne kemi bërë gabimet tona. Disa i dinë, disa nuk i dinë. Por është e sigurt se në tërësinë e tyre, punët tona janë pro përparimit të vendit. vendi është më i përparuar se ç’ishte kur morën detyrën. Jemi ende larg asaj pike ku ne duam dhe duam të mbërrijmë dhe më pas të lëmë stafetën drejt të tjerëve. Por zgjedhja është e qartë dhe për faktin se ne në këtë proces kemi vazhduar që të bëjmë përpjekje të sinqerta. Kemi përballë një skuadër që është konglomerat i dështuar. Shqipëria mund të bjerë në dorë të atij konglomerati të atyre njerëzve që e kanë bërë gjurmën e tyre, kanë bërë shumë e shumë më keq kur e kanë pasur në dorë. Ajo që sot i duhet njerëzve është vazhdimi edhe me më shumë energji dhe përkushtim. Falë drejtimit të sektorit nga Ogerta dhe falë punës të mjekëve, ekspertëve të të gjitha pjesëve të sistemit shëndetësor ia kemi dalë të qëndrojmë në një ekuilibër të arsyeshëm. Jam i bindur që ne do tia dalim për ta bërë këtë sezon turistik më të lehtë duke vaksinuar shume njerëz dhe duke këputur në shumë pjesë zinxhirin e infektimeve. Objektivi ynë ambicioz është për ta përfunduar krejt vaksinimin pranverën e ardhshme.”, tha Rama.