
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, që synojnë lehtësimin e shpenzimeve të përditshme për familjet shqiptare përmes bashkëpunimit mes qeverisë, supermarketeve dhe furnitorëve. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se marrëveshja me pesë subjekte të rëndësishme të tregtimit të ushqimeve parashikon çmime të arsyeshme dhe të pandryshueshme për një sërë produktesh deri më 12 janar të vitit të ardhshëm. Sipas kryeministrit, nisma vjen në një kohë kur rritja e kostove po prek konsumatorët në mbarë botën.
Ai bëri të ditur se aktualisht janë mbi 200 artikuj pjesë e kësaj nisme, ndërsa synimi është që numri i tyre të arrijë në 1000 deri në fund të vitit. Rama u shpreh se procesi do të zgjerohet edhe me subjekte më të vogla dhe pika të shitjes me pakicë, për të përfshirë sa më shumë aktorë të tregut. Kreu i qeverisë theksoi se synimi nuk është vendosja e çmimeve nga shteti, por nxitja e konkurrencës së lirë, transparencës dhe bashkëpunimit në mbrojtje të konsumatorëve.
“Më vjen mirë që e realizuam këtë iniciativë me mirëkuptim dhe duke rënë dakord, sepse jemi në një kohë kur duhet parë më tutje fitimit ditor dhe respekti për qytetarin tregohet duke parë situatën që ndodhemi dhe që ka përfshirë mbarë botën në rritjen e kostove në tërësi, që janë karakteristikë e të gjitha vendeve. Duhet bërë një hap përtej asaj vije mes atij që shet dhe atij që blen, duhet gjetur një rrugë për t’i ofruar një mundësi më shumë njerëzve në vështirësi. Sot, falë këtij mirëkuptimi dhe ndërveprimi të këtyre 5 subjekteve të rëndësishme të tregtimit të ushqimeve në Shqipëri, jemi praktikisht me këtë pasqyrë në dorë dhe me këtë marrëveshje për një sërë artikujsh që do të kenë një çmim të arsyeshëm dhe të palëvizshëm deri më 12 janar të vitit të ardhshëm.” tha Rama.


