Kryeministri Edi Rama pritet që ditën e sotme të prezantojë paketën speciale Anti-KÇK, ku në fokus do të ketë goditjen e krimit të organizuar dhe pasurive të tyre, duke përfshirë edhe kriminelë të rrezikshëm, të cilët përmes gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, kanë mundur që t’i shpëtojnë drejtësisë.

Për këtë paketë, kryeministri Rama ka folur disa herë, ku ka vënë theksin edhe te disa prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar, të cilët ai i ka futur në grupin e pagëzuar “Kap ç’të kapësh” (KÇK).

Grupi KÇK, sipas shefit të ekzekutivit, i ka dhënë dorë krimit të organizuar, ku shpesh personat të cilët e kanë pasur për detyrë që kriminelë dhe grupe kriminale t’i linin parapa hekurave, janë bërë palë me ta.

Por për kreun e qeverisë, tashmë ka ardhur koha që kjo gjë të marrë fund, e për këtë qeveria shqiptare ka punuar me ekspertë të huaj, ku konsulenca kryesore ka qenë me një grup ekspertësh nga Izraeli për të marrë përvojën e tyre nga e ashtuquajtura “Fauda” e forcave komando izraelite në kapjen apo eliminimin e elementëve të rrezikshëm terroristë në Izrael dhe Palestinë.

“Një mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit. Falë ndihmës së ekspertëve të huaj të klasit të parë në luftën kundër terrorizmit, mafies e krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit”,-njoftoi Rama një ditë më parë.

Qëllimi parësor i paketës Anti-KÇK është të godasë krimin e organizuar, e përmes tyre të shtrijë efektet edhe tek prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar që i kanë “lehtësuar” punën kriminelëve përballë ndëshkimit të ashpër të drejtësisë.

Prezantimi do të bëhet ditën e sotme në orën 10:30 të paradites në ambientet e ArTurbinës, ku do të jenë të pranishëm strukturat drejtues të PS-së, ministrat, zv ministrat, deputetët dhe kryetarët e bashkive.