
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Vatikan, ku ndër të tjera, u takua edhe me Papa Leone i XIV-të ditën e djeshme.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka ndarë momente nga takimi me Atin e Shenjtë, ku e shoqëronin gjithashtu bashkëshortja Linda dhe djali Zaho.
“Mirëmëngjes dhe me disa çaste të bukura nga takimi me Papa Leonin XIV, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kreu i qeverisë në Facebook.
Takimi u zhvillua në Pallatin Apostolik në Vatikan, ndërsa bisedimet u zhvilluan në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit me fokus tek situata në Ballkan dhe rruga drejt integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjatë bisedimeve me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë kardinalin Pietro Parolin dhe imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, siç shkruan Vatikan News, u vu në dukje gjithashtu marrëdhënia e mirë mes Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë ndërsa u trajtuan tema me interes të përbashkët që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile.
Më herët, Rama vizitoi Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku u prit në oborrin “San Damaso”, nga Prefekti i Shtëpisë Papnore.
Ndërkohë, të mërkurën kryeministri përcolli lutje për popullin shqiptar në bazilikën ‘Regina di Albania’, ku gjendet shëmbëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë.






