Kryeministri Edi Rama, i është përgjigjur komentuesve në ‘Facebook’ në lidhje me inceneratorët. Qytetarët thonë se inceneratorët s’janë gjë tjetër veçse skemë e vjedhjes së parave të tyre, ndërsa kreu i qeverisë, i quan ato impiante moderne për trajtimin e mbetjeve dhe se janë investime të mëdha për të shpëtuar shumë zona nga plehrat.

Ndër të tjera Rama kujton se një ish-ministër është vënë në pranga dhe drejtësia do të thotë fjalën e saj, duke iu referuar arrestimit të ish-ministrit Lefter Koka. Sakaq, kryeministri shprehet se ata që vjedhin do të marrin dënimin e meritur pa asnjë dallim.

“O njisho shif mor burrë se po ikin paratë tona po zhduken pa lon gjurmë nëpër këto të ashtuquajtura incineratorë …kush e shpiku në Shqipëri këtë mënyre grabitje të parave tona …a e di ku është çudia me ju zoti kryeminister se ju njihni edhe hajdutin e xhepave dhe nuk njihni skemën e vjedhjes me këtë stil mafioz.”-shprehet qytetari Ardjan Shima.

Ndërsa më poshtë, përgjigja e kryeministrit Rama.

“Ato të “ashtuquajtura inceneratorë” janë impiante moderne trajtimi të mbetjeve, të cilat janë investime të mëdha për të shpëtuar zona të tëra të banuara nga plehrat, ndërkohë që këtu s’ka asnjë shpikje për të grabitur paratë e tua, po ka një shpifësirë politike shifrash marramendëse e akuzat monstruoze, ndërkohe që gangrenat mjedisore të plehrave si puna e Sharrës janë mbyllur dhe retë toksike të tymit nga djegia e tyre në natyrë janë zhdukur!

Është arrestuar një ish-ministër me akuzën për marrje parash nga kompania dhe për këtë drejtësia do të thotë fjalën e saj patjetër, por kjo është çështje përgjegjësie individuale para ligjit! Kurse të thuash që na qenkan vjedhur qindra miliona euro, kur veprat janë aty e kur puna e bërë është para syve, e kur ato qindra miliona euro nuk janë hiç asfare as ashtu e as aq sa thuhen, kjo është një tymnajë të cilën faktet reale dhe procesi i nisur nga organet reale hetimore, përtej farsës së shpifur të vulëhumburve politikë, do ta tresin njësoj si tymnajat e plehrave të Sharrës.”-shkruan Rama.

Ndërsa më poshtë një komentues tjetër.

“Dmth ju thoni le të vjedhin sa të duan rëndsi ka që godinat janë aty.”-shkruan qytetari Fatos Rrokaj.

Edi Rama: Jo unë nuk them fare ashtu, përkundrazi, unë them cilido që vjedh duhet të marrë dënimin e merituar, pa asnjë dallim, por përgjegjësia në këtë sistem që kemi zgjedhur, dmth në demokraci, është individuale e para dhe e dyta, nëse dikush në këtë rast ka marrë para nga kompania përkatëse, kjo as nuk hedh poshtë tërë atë punë që është bërë nga institucionet për të shëruar plagët e tmerrshme mjedisore, as nuk i bën të gjithë njësoj!

Artikulli paraprakFACEBOOK NDRYSHON EMRIN PAS 15 VITESH
Artikulli tjetërSHKODËR, SHPËRNDANTE KANABIS NË SHKOLLA, ARRESTOHET 31-VJEÇARI