Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ironizuar indirekt me Sali Berishën duke e cilësuar si dhëmballë të prishur të PD.

Rama thotë se Berisha i prish gjithë fytyrën PD dhe për sa kohë të jetë ai në parti, PD do të jetë e pavotueshme.

Gjithsesi kryeministri thekson se kjo nuk është arsye për t’u marrë me Berishën apo për të gëzuar për shpërfytyrimin e PD prej tij.

”PD do të vijë me dhëmballë të prishur, as nuk ka kurajo ta shkulë, as vullnet ta shqetësojë. Nuk është arsye për tu marrë me dhëmballën e saj, as për të gëzuar për shpërfytyrimin e PD. Sa kohë dhëmballa do të jetë aty, fytyra e PD do të jetë e pavotueshme. Ne nuk e kemi pasur prej kohësh, edhe pse kemi lënë përshtypje, nuk duhet të kemi në fokus luftën me PD. Në fund të këtij mandati, nuk do të vlerësohemi për çfarë thamë e çfarë i bëmë PD-së, do të gjykohemi për sa më lart do ta ngjisim Shqipërinë. Luftën tonë ne e kemi me problemet e vendit dhe hallet e shqiptarëve, me opozitën kemi betejën politike, patjetër do e bëjmë, por me një qasje e cilësi të ri. Kemi eksperiencën e nevojshme për të kërkuar nga vetja shumë më tepër cilësi në komunikimin publik.”- tha Rama.

Në maj të këtij viti, Sali Berisha në cilësinë e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit u shpall non-grata nga DASH. Një ditë më vonë ai njoftoi se do të padisë Sekretarin amerikan të Shtetit, Blinken për shpifje teksa theksoi prerazi se nuk heq dorë nga mandati. Madje Berisha për vendimin non-grata ndaj tij ka akuzuar direkt Ramën dhe George Soros.