Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar si një histori suksesi në fushën e turizmit. Gjatë mbledhjes së 71-të të Komisionit për Europën të UN Tourism, e mbajtur në Baku, Azerbajxhan, u publikua raporti që rendit Shqipërinë në krye të vendeve evropiane për rritjen e flukseve turistike. Sipas të dhënave, vendi ka shënuar një rritje prej 136% në krahasim me periudhën para pandemisë Covid-19. Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, theksoi se ky është një tjetër konfirmim i suksesit të modelit shqiptar të turizmit, i ndërtuar mbi parimet e zhvillimit të qëndrueshëm. Shqipëria mori pjesë në këtë forum si anëtare me të drejta të plota, duke ndarë përvojën e saj dhe duke kontribuar në diskutimet që u pasqyruan në Deklaratën e Bakusë, me fokus turizmin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Rama tha se ky vlerësim ndërkombëtar vjen si dëshmi e potencialit në rritje të Shqipërisë si një destinacion turistik europian, me zhvillim të shpejtë dhe të orientuar drejt cilësisë dhe ruajtjes së trashëgimisë natyrore dhe kulturore.

Postimi i kryeministrit Edi Rama:

Shqipëria kryeson sërish në rritjen e flukseve turistike në Europë, me +136% krahasuar me periudhën para-pandemike .

Raporti u publikua në Baku, Azerbajxhan, gjatë mbledhjes së 71-të të Komisionit për Europën të UN Tourism, ku Shqipëria mori pjesë si anëtare me të drejta të plota.

Një tjetër konfirmim ndërkombëtar për suksesin e modelit shqiptar të turizmit, i mbështetur në vizionin e turizmit të qëndrueshëm, që ishte edhe fokusi i diskutimeve gjatë mbledhjes së #CEU si pjesë e Deklaratës së Bakusë dhe Shqipëria ishte aty, jo vetëm për të dëgjuar, por për të ndarë eksperiencën e saj si një histori suksesi që frymëzon.

Artikulli paraprakSHKODËR, ARRESTIME DHE PROCEDIME PËR VEPRA TË NDRYSHME PENALE
Artikulli tjetërIZRAELI NUK NDAL SULMET NË GAZA AS PËR BAJRAM, RAPORTOHET PËR 20 TË VRARË