Rama: Strategji të qartë për 3 spitalet në Tiranë, në 20 vite varrë korrupsioni

Duke pranuar se në spitale ka mangësi të theksuara, kryeministri Edi Rama thotë se për tre spitalet në Tiranë, QSUT-ja, ai i Traumës si dhe Sanatoriumi, ka një strategji të qartë. Rama: Jemi në një fazë që edhe në QSUT, në Spitalin e Traumës, Sanatorium, ka mangësi të ndjeshme. Nuk ka pikë dyshimi që për herë të parë në këto tre spitale ka strategji ndryshimi dhe ka një skemë të mbështetjes financiare dhe është ndërtuar mbi vetëdijen se ne nuk i kemi paratë për t’i bërë të gjitha përnjëherë, por ama kemi mençurinë për t’i ndërtuar në radhën e duhur. Ai theksoi se korridoret e këtyre spitaleve mund të konsiderohen si zona arkeologjike të korrupsionit në shëndetësi, për shkak siç tha kryeministri, pasi për çdo korridor është bërë një tender. Rama: Dyshemetë e korridoreve të këtyre tre spitaleve në 20 e ca vite u bënë proverbiale. I keni shkelur vetë, që në çdo kthesë ndryshonin pllakat, sepse në çdo kthesë kishte një tendër. Dyshemetë e korridoreve të këtyre spitaleve janë tamam një zonë arkeologjike e korrupsionit në shëndetësi dhe paaftësisë për të menaxhuar të këtyre institucioneve që mbartin përgjegjësinë për një numri shumë më të madh njerëzish në nevojë çka normalisht duhet të mbartë një spital universitar, Sanatoriumi, dhe Spitali i Traumës. Deklaratat e tij u bënë gjatë një takimi me mjekë dhe infermierë.