Rama: Sulmet ndaj Trump? Më prekën qëndrimet kundër Kosovës

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar sot deklaratat e tij kundër Presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ambasadoren e BE, Romana Vlahutin, Rama tha se është ndjerë i prekur nga qëndrimet e Trump kundër Kosovës, myslimanëve dhe emigrantëve. “Për Trump, unë jam shprehur si kandidat, sepse më kanë prekur si shqiptar, qytetar i këtij vendi, deklaratat për Kosovën, myslimanët, emigrantët dhe s’jam i vetmi, jam një pikë uji në detin e prononcimeve të pafavorshme ndaj tij ku u përfshi e gjithë bota”, u shpreh Rama. Shefi i ekzekutivit u kujdes të theksonte se pavarësisht kësaj, miqësia mes Shqipërisë dhe SHBA-së nuk mund të vihet në diskutim. “Sot ai është zgjedhur nga populli sovran dhe respekti im si Kryeministër i këtij vendi për popullin, qeverinë amerikane, Presidentin si mishërim i vullnetit të sovranit e miqësia e aleanca me SHBA, as që mund të vihen në diskutim”, shtoi Rama ndërsa iu përgjigj edhe atakimeve në adresë të tij lidhur me komentet kundër Trump. “Vërtetë ndjej keqardhje për banalitetin e disa agallarëve të kafes së madhe të politikës sonë që janë kaq mendjelehtë sa duket sikur sot gati sa nuk i ankohen presidentit të Amerikës për mua. Por nuk funksionon kështu bota, as SHBA”, përfundoi kryeministri.

Artikulli paraprakDUKA: KUSHTET E SIGURISË ZHVENDOSËN NDESHJEN
Artikulli tjetërSHKARKIMET, MINISTRIA: SITUATA NËN KONTROLL