Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me presidenten e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, në ditën e dytë të vizitës në shtetin fqinj. Kreu i qeverisë u shpreh optimist për zgjidhjen e çështjeve të lëna pezull mes dy vendeve.

‘Marrëdhënia e njerëzve të zakonshëm është e shkëlqyer, kjo na ka ndihmuar që ta shihnim njëri tjetrin me sytë e njerëzve të zakonshëm. Jam shumë optimist se pikërisht në këtë klimë do të zgjidhim më së miri të gjitha çështjet e lëna pezull mes dy vendeve. Edhe dakortësia për t’ju drejtuar një pale të tretë për zgjidhjen e detit tregon se jemi në rrugën e duhur për t’i dhënë zgjidhje problemeve.’- u shpreh Rama.

Në vijim të vizitës së tij në Greqi, Kryeministri Edi Rama u prit në takim nga Kryetari i Parlamentit grek, Konstantinos Tasoulas, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve, si dhe shprehën dëshirën dhe vullnetin e përbashkët për forcimin e tyre të mëtejshëm, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Parlamentit Konstantinos Tasoulas bashkëvlerësuan rolin e minoritetit grek në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Greqi, si ura solide miqësie mes vendeve.

“Është kënaqësi e veçantë që jemi sot në Athinë, marrëdhëniet tona janë shumë të mira dhe në përmirësim të vazhdueshëm. Dëshira e dyanshme për t’i forcuar këto marrëdhënie çdo ditë, është shumë e madhe dhe baza e këtyre marrëdhënieve janë pa dyshim të dy popujt tanë dhe urat e forta mes nesh, janë qoftë qytetarët grekë që jetojnë në Shqipëri dhe qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi.” – u shpreh Kryeministri Rama.

Nga ana e tij, Kryetari Tasoulas shprehu mbështetjen e Greqisë në rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke vlerësuar progresin e bërë nga vendi ynë në këtë aspekt.

“Me të drejtë vendi juaj synon ecjen drejt integrimit evropian, me të drejtë vendi ynë mbështet rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Me të drejtë të dyja vendet tona, duke pasur ura lidhëse minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar ne Greqi, po ecin përpara.” – u shpreh ai gjatë takimit.

Artikulli paraprakSOT DITA BOTËRORE E SINDROMËS DOWN, MINISTRJA KUSHI: KËTA FËMIJË KANË NEVOJË PËR MË SHUMË MBËSHTETJE
Artikulli tjetërVAU DEJËS, GJËNDET I PAJETË 52-VJEÇARI, DYSHOHET SE ËSHTË VETËVARUR