Një ditë pasi u mësua propozimi i qeverisë për të dënuar me burg deri në tre vjet shpifjen ndaj zyrtarëve të lartë shtetëror dhe revoltës që ngriti në rrethin e gazetarëve, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ky nen nuk prek në asnjë pikë median. Kreu i qeverisë thotë se shpifja do të shihet si vepër penale për politikanët.

“Asnjë lidhje me shtypin kriminalizimi i shpifjes! Jo, shpifja duhet të jetë vepër penale për çdo politikan që paguhet me taksat e popullit!”, – shkruan shefi i mazhorancës në rrjetin social.   Rama kërkon ndjesë që ndryshimi i nenit të kërkuar nga Këshilli i Ministrave i hapi rrugë një keqkuptimi të madh me gazetarët, të cilët menjëherë reaguan përmes rrjeteve sociale duke e cilësuar këtë propozim si shtypje e lirisë së fjalës. Rama thotë se dënimi me burg deri në tre vjet i shpifjes vë në “shënjestër” politikanët që bëjnë shpifje publike ndaj funksionarëve të shtetit, dhe jo median dhe shkrimet e botuara nga gazetarët. “Edhe neni përkates duhet të reflektoje këtë qëllim që e kam shprehur publikisht me kohë. Ndjesë që ka hapur shteg për një keqkuptim të madh!”, shkruan kryeministri. Rama jep edhe një argument se përse është kërkuar ashpershimi i këtij neni të Kodit Penal. “Është koha që kjo shoqëri të përballet hapur me kulturën e shpifjet. Populli nuk na zgjedh dhe nuk na paguan me taksat e tij për të shpifur”, thotë shefi i qeverisë.