Kryeministri Edi Rama ditën e sotme u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve në vijën bregdetare se nëse japë pa leje të largohen me dëshirën e tyre, në të kundërt do i largojnë me pahir dhe sekuestrojnë bazën materiale që kanë siguruar përgjatë viteve.

“Një gjë është e padiskutueshme se ajo çka është përcaktuar si kornizë e këtij procesi do të zbatohet me hir ose me pahir dhe unë dua t’i bëj thirrje sot të gjithë atyre subjekteve që nuk janë në rregull me dokumentacionin që të largohen nga sipërfaqet që nuk u takojnë me ligj dhe me rregull.

Policia e Shtetit do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare dhe do të konfiskojnë çdo lloj çadre a shezlongu tjetër ndihmëse që nuk është e përputhur me bazën dokumentare të subjektit. Plazhet janë të popullit dhe për aq sa subjektet private janë të përfshira në garantimin e një sezonin turistik janë edhe të tyre si përgjegjësi, aty ku kjo përgjegjësi u është njohur ligjërisht.

Kjo skemë e re e administrimit të hapësirës së plazheve ka krijuar më shumë të ardhura dhe për sektorin publik, dhe më shumë hapësira për qytetarët që nuk duan të jenë pjesë ku plazhi administrohet nga privati. Përtej disa rasteve që janë bërë publike dhe të tjerave që janë problematike, në tërësi baza është pozitive dhe në vijim do të konsolidohet që në korrik dhe gusht të jenë absolutisht të garantuara në këtë aspekt.

Subjektet që nuk janë të vendosura sipas ligjit duhet të largohen vetë dhe të mos humbasin dhe atë bazë materiale që kanë siguruara për biznesin e tyre, pasi do ju merrte dhe nuk do ju jepet më mbrapsht. Kjo është ajo që doja të thoja shkurtimisht”, tha Rama.