Kryeministri Edi Rama i bërë thirrje të gjithë mediave që të bëjnë kujdes me transmetimin e lajmeve në këtë periudhë delikate pas tërmetit. Ai tha se nëse vijon e njëjta situata do ndalohen transmetimet e tyre, pasi gjendja e jashtëzakonshme e lejon këtë gjë.

“Qysh prej mëngjesit të ditës së djeshme funskionin E Albania dhe me të gjithë mirënjohjen dua të falenderoj të gjithë ata që janë përfshirë në dhënien e kontributeve. Ka një rëndësi të madhe në aspektin moral dhe shpirtëror pjesëmarrja masive e njerëzve dhe shqiptarëve në përballimin e pasojave të tmerrshme të kësaj fatkeqësie. Bilanci i viktimave është rritur.

Ka kulmuar me nxjerrjen e një 8 vjecari nga gërmadhat e pallatit të rrashfuar në Thumanë. Kërkimet pa pushim nuk kanë arritur të nxjerrin më jetë nga gërmadhat. Ata që kanë vijuar dhe punojnë në kushtet e një rrezikshmërie, qofshin tanët dhe të huaj meritojnë mirënjohje. Nga ana tjetër besoj se është me shumë rëndësi të nënvizoj sot duke u nisur edhe nga shqetësimet dhe alarmet dhe paniku, se ka një rëndësi të posaçme përgjegjshmëria e atyre që kanë përgjegjësinë të shfaqen në ekrane.

Është momenti për të kontribuar në ruajtjen e qetësisë. Nuk është momenti për audiencë dhe parashikime që e marrin zanafillën nga koha e romakëve në Durrës. Këto janë krime që cenojnë drejtpërdrejtë jetën e përditshme të njerëzve. I bëj thirrje të gjithëve që të mos na detyrojnë të vëmë në lëvizje mekanizma që i parashikon gjendja e jashtëzakonshme për t’iu fikur fare dritën.

Është e papranueshme që kur njërëzit kanë marrë arratitë nga shtëpitë, në shumë herë edhe të nxitur në pikën e humbjes së mundësisë për të arsyetuar nga lloj lloj lajmesh nga ata që përfshihen në këtë lloj veprimtarie pa asnjë lloj njerzillëku. Të gjithë të kontribuojnë sa të munden për të përçuar sa më shumë qetësi. kjo është kohë për psikologët dhe jo për astrologët. Për skuta të errëta të protagonizmit dalin dhe broçkullisin hakmarrje mitologjike”, tha Rama.