Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zbuloi disa nga bisedat e zhvilluara sot me Presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan, gjatë takimit kokë më kokë me të në Ankara.

Mes të tjerash, Rama tha se Presidenti Erdogan ka shprehur gatishmërinë për disa ndërhyrje të rëndësishme në fushën e turizmit, shëndetësisë dhe arsimit. Lidhur me këtë, me të qeshur, Rama theksoi se ka vendosur bast me Kreun e Shtetit Turk, pasi ky i fundit ka thënë se brenda tre muajve do të ndërtohet Spitali Rajonal i Fierit.

“Jam shumë i kënaqur që presidenti gjatë bisedës shprehu gatishmërinë, jo vetëm me fjalë, për disa ndërhyrje të rëndësishme në fushën e turizmit, shëndetësisë, arsimit. Është lajm i shkëlqyer për të rinjtë, që një universitet, sic është ai i Stambollit, do të jetë prezent së shpejti në Shqipëri. Së shpejti, edhe Spitali i Fierit do të jetë realitet. Tani, bastet në Shqipëri dhe Turqi janë të ndaluar, por basti se ky spital do të jetë gati për tre muaj, është një bast shumë i fortë”, tha Rama.

Më tej, kreu i qeverisë shqiptare u ndal te pandemia, duke shprehim vlerësimet më të larta për Turqinë, që sipas tij, i mbajti dyert hapur dhe ofroi mbështetje për Shqipërinë, jo si disa vende të tjera “që njësoj sic u thanë njerëzve të mbyllen në shtëpi, mbyllën dhe shtetet e tjera dhe ndaluan deri edhe kalimin e ndihmave mjekësore për ata që kishin nevojë”.

“Falënderoj mikun tim për këtë mikpritje të paharrueshme, edhe pse nuk është hera e parë që unë e vizitoj Turqinë mike. Në këtë mikpritje ne të gjithë së bashku si delegacion mundëm të konstatojmë shprehjen e një vullneti të fortë për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes të dy vendeve, dy shteteve, dy qeverive. I jam mirënjohës presidentit për bashkëbisedimin kokë më kokë dhe për kohën e çmuar që i dedikoi një tërësie të konsiderueshme cështjesh, por mbi të gjitha dua ta shpreh këtu mirënjohjen për të dhe për popullin turk për reagimin e menjëhershëm në mbështetje të Shqipërisë, duke u gjendur në krah të familjeve të goditura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Presidenti Erdogan ishte i pari, që u angazhua publikisht dhe botërisht, për t’u përfshirë në procesin e rindërtimit dhe i hapi rrugë një procesi të tërë përfshirjeje të shumë vendeve të tjera, që bënë të mundur mbledhjen e një shume të konsiderueshme për Shqipërinë.

Solidariteti i Turqisë mike dhe i presidentit Erdogan nuk është shprehur vetëm kur Turqia nuk ka pasur një problem të vetin, por edhe kur Turqia njësoj si ne u godit nga koronavirusi, presidenti dhe Republika e Turqisë i qëndruan pranë Shqipërisë dhe nuk vepruan si disa të tjerë, që njësoj sic u thanë njerëzve të mbyllen në shtëpi, mbyllën dhe shtetet e tjera dhe ndaluan deri edhe kalimin e ndihmave mjekësore për ata që kishin nevojë. Kjo ka qenë shumë domethënëse për ne, sic është domethënës edhe fakti që sot një nga temat e diskutimit ka qenë bashkëpunimi i afërt mes dy vendeve dhe mbështetja e Turqisë për Shqipërinë në gjithë procesin e kësaj lufte të madhe me këtë armik të padukshëm, pa u kursyer.

Besoj që sjellja e Turqisë ndaj nesh dhe qasja e presidentit Erdogan në situatat kur vende si yni gjenden në vështirësi janë mishërimi i fjalës së paharrueshme të Qemal Ataturkut, që thoshte “njerëzimi është një trup i vetëm dhe cdo komb është pjesë e këtij organizmi”. Edhe pse Turqia u godit nga pandemia, kjo nuk e bëri të ndalet për asnjë sekondë projekti që po realizohet me mbështetjen e ministrit, mikut tonë Muratit. Solidarizimi ndaj ngjarjeve të tilla reflektojnë esencën e kësaj marrëdhënie dhe humanizmit, që është në themel të kësaj marrëdhënie. Jam krenar që sot m’u dha mundësia dhe nderi të nënshkruaj në emër të Shqipërisë deklaratën e Këshillit të bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, me presidentin Erdogan”.