Pandemia dhe tërmeti janë dy shtyllat kryesore të betejës elektorale ku bazohet programi i kryeministrit Edi Rama.

Për numrin një të qeverisë, rindërtimi është një betejë e cila po fitohet, e të njëjtën rrugë do të ndiqet edhe me procesin e vaksinimit në Shqipëri, i cili ka nisur me mjekët e po vijon me të moshuarit.

Sfida, shprehet Rama, është vaksinimi i të gjithë popullsisë, pa bërë asnjë diferencë nga vendet e tjera të Europës.

“Mos e harroni që të nesërmen e tërmetit askush s’e besonte që do t’ia dilnim rimëkëmbjes së atyre mijëra e mijëra familjeve të mbetura pa strehë – por ne po e fitojmë hap pas hapi betejën e Rindërtimit, për të gjitha ato familje dhe për Tiranën, Durrësin, Kurbinin, Krujën, Vorën, Kamzën, Lezhën, Mirditën, Kavajën, Rrogozhinën e krejt Shqipërinë.

Po njësoj do t’ia dalim vaksinimit të të gjithë qytetarëve të këtij vendi, hap pas hapi, duke e kapërcyer malin e vështirësive, siguruar të gjitha dozat e nevojshme dhe vaksinuar krejt popullin aspak më vonë se sa vendet e tjera, në Europë e në rajon po se po”, shkruan Rama.