Ekonomia e vendit vlerësohet e qëndrueshme pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, nga Standard & Poor’s. Megjithatë Agjencia parashikon një tkurrje të ndjeshme të ekonomisë dhe përmirësim të saj në vitin 2022. Sipas vlerësimit të fundit thuhet se turizmi do të marrë goditjen më të madhe dhe se rrezik në këtë situatë janë edhe koncensionet, të njohura si PPP-të.

Pavarësisht goditjes që ka marrë ekonomia nga pandemia globale COVID-19, agjencia Standard & Poor’s, e konsideron atë të qëndrueshme, me vlerësimin B+. Sipas vlerësimit të fundit ekonomia e vendit do të tkurret ndjeshëm, dhe ndikimi më i madh dhe i drejtpërdrejtë do të jetë tek turizmi për shkak të varësisë që kemi ndaj tij dhe peshës së madhe që zë në ekonomi.

Parashikimi i agjencisë për deficitin buxhetor është në të njëjtin parametër të pritshëm edhe nga Ministria e Financave. Standard & Poor’s pret që deficiti të jetë 8.5%, për shkak të humbjeve në të ardhura dhe shpenzime shtesë që lidhen me pandeminë, dhe shpenzime të larta të kapitalit, ndërsa Ministria e Financave ka parashikuar një deficit në nivelin e 8.4%. Edhe për agjencinë niveli i borxhit publik do të arrij në 80%, i cili tashmë rrezikohet nga rifinancimi dhe luhatja në kursin e këmbimit.

Nga ana tjetër Standard & Poor’s vlerëson si rrezik i mundshëm fiskal partneritetin publik-privat pra PPP dhe nevojën për parashikueshmërinë e tyre. Përpos kësaj pamje të zymtë agjencia thotë se vendi mund t’i kthehet ecurisë pozitive në vitin 2022, duke synuar edhe një herë konsolidim fiskal dhe ulje të borxhit publik.