Raporti i AKP, 40 % e nxënësve të klasës së pestë janë ngelësa

Arritjet e nxënësve në vlerësimin kombëtar të klasës së 5-të rezultojnë të jenë pranë nivelit mesatar të arritjeve. Vetëm rreth 7.41 % e nxënësve zotërojnë njohuri të nivelit të lartë dhe 49 % e tyre zotërojnë njohuri që i përkasin nivelit mesatar. Këto janë të dhënat që dalin nga raporti vjetor i testimit të arritjeve për nxënësit e klasave të 5-ta në të gjithë vendin. Në përfundim të raportit, thuhet se puna e mësuesit duhet të përqëndrohet kryesisht në zhvillimin e kapaciteteve vëzhguese për zgjidhjen e problemeve duke përdorur mjete konkrete didaktike. Sipas raportit, nxënësit preferojnë të përzgjedhin mes përgjigjeve të gatshme se sa ta modelojnë apo ndërtojne vetë përgjigjen. Në këtë rast ka dy probleme që lidhen me aftësinë e të kuptuarit dhe aftësinë e të shprehurit. Sikundër shpjegohet tek gjetjet: “Përqëndrimi i punës së mësuesit është kryesisht në nivelet e para të kompetencave pra riprodhim njohje dhe kuptim të tekstit dhe pak ose aspak i vënë nxënësit në situatë reflektimi dhe vlerësimi dhe thuajse asnjëhere të merren me fragmente tekstesh të panjohura më parë. Kjo sjell që pak nxënës të aftësohen në nivele të larta ku kërkohet mendimi kritik, arsyetimi, interpretimi dhe përgjigjia personale”. Rezultatet lidhen me punën e pakët që zhvillohet me nxënësit në drejtim të aftësisë së të shkruarit. Sipas sugjerimeve të bëra nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, qëllimi i lëndës së gjuhës shqipe është që t’i aftësoj nxnënësit të shprehen dhe shkruajnë idetë e tyre në lidhje me tema të caktuara dhe jo thjesht të mbartin aftësi mekanike që shfaqen vetëm në zgjidhje fragmentare ushtrimesh. Në matematikë njohuritë gjeometrike, shtrimi i problemeve dhe zgjidhja e tyre janë aftësi që nuk zotërohen mirë nga nxënësit. Ngjashëm edhe me raportin e një viti më parë, vajzat kanë rezultate më të larta se djemtë si dhe nxënësit e shkollave private, sërish kanë rezulatet më të larta se ata që studiojnë në shkollat publike. Diferencë në rezultate ka edhe mes nxënësve të fshatit dhe atyre të qytetit, ku këta të fundit kanë rezultate më të larta. Niveli social ekonomik i familjeve të nxënësve, numri i nxënësve në klasë janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë gjetje të vlerësimit kombëtar.

Artikulli paraprakPROTESTAT NË PARIS, POLICIA PËRDOR GAZ LOTSJELLËS KUNDËR STUDENTËVE
Artikulli tjetërARRESTOHET SHQIPTARJA QË FINANCONTE TRAFIKUN E DROGËS NË AMERIKËN LATINE