Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të raportit të DASH për klimën e investimeve në Shqipëri. Meta i cilëson konkluzione tronditëse dhe thekson se ky raport vjen në një kohë kur shoqatat e biznesit, Dhomat e Tregtisë, përfshi dhe atë Amerikane, kanë ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimin në lidhje me përkeqësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve. Më tej, në deklaratën e presidentit thuhet:

Shqipëria perceptohet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit si vendi me korrupsionin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ku klima mbytëse e të bërit biznes është përkeqësuar nga vendimet arbitrare e politikat fiskale jo transparente dhe klienteliste që cënojnë konkurrencën dhe sipërmarrjen e lirë. Ky raport vjen në një kohë kur shoqatat e biznesit, Dhomat e Tregëtisë, përfshi dhe atë Amerikane, kanë ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimin në lidhje me përkeqësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve.
Edhe Banka Botërore në raportin e saj të Doing Business ka ngritur me shqetësim rritjen e barrës fiskale dhe ndryshimet e shpeshta në aktet ligjore dhe nënligjore. Sjell në vëmendje se shumë dekrete për kthimin e ligjeve që denoncojnë antikushtetutshmërinë e tyre, cenimin e interesit publik e kombëtar, si dhe cenimin e financave të shtetit me ligje speciale me efekt favorizues për një grup të caktuar individësh janë rrëzuar nga Kuvendi i Shqipërisë.