
Mafia italiane dhe organizatat kriminale në Itali, kanë një bashkëpunim operativ të plotë me trafikantët shqiptarë në tregtimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria.
Ky është një nga konkluzionet e arritura nga Raporti Vjetor 2015, i sapo publikuar nga Ministria e Brendshme Italiane, hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Antidrogës ku pasqyrohet aktiviteti e rezultati i arritur nga Policia italiane në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike. “Mafia kalabreze Ndragheta, konfirmohet lideri botëror në trafikun e kokainës, ndjekur më pas nga Mafia napoletane Camora dhe nga organizatat kriminale pulieze që kontrollojnë plotësisht tregtimin e lëndëve narkotike të importuara nga Shqipëria”, thuhet në këtë Raport. Përgjatë vitit 2015 në Itali është regjistruar një rënie e trafikut të hashashit e marijuanës e një rritje e konsiderueshme prej +161% e drogave sitetike dhe substancave në pluhur, Trafiku i kokainës ka shënuar një rritje prej më shumë se 4% në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2015 Policia italiane ka sekuestruar rreth 84 tonë drogë, 94% e të cilës e transportuar në rrugë detare. Në Raportin e Ministrisë së Brendshme Italiane evidentohet si një evolucion i vitit 2015 zbulimi i një rruge të re të trafikut të drogës, me anëtë avionëve të lehtë që shfrytëzojnë pista fluturimi klandestine përtej Adriatikut duke transportuar nga Shqipëria sasi të konsiderushme të bimës kanabis. Trafiku i kanabisit është nën kontroll të plotë nga mafia e rajonit të Lacios, Sicilisë e Puglias në bashkëpunim me grupet trafikante shqiptare, spanjolle e marokene.