Në një kohë kur lajmet, informacioni dhe përmbajtjet që konsumojmë çdo ditë kalojnë gjithnjë e më shumë përmes ekranit të telefonit apo kompjuterit, një pjesë shumë e vogël e shqiptarëve shkon një hap më tej, të kontrollojë nëse ajo që lexon online është e vërtetë.

Vetëm 14.34% e individëve në Shqipëri të moshës 16–74 vjeç u përpoqën të verifikonin vërtetësinë e informacionit ose përmbajtjes që gjetën në internet, duke përdorur burime të tjera, sipas raportit të Eurostat për vlerësimin e të dhënave, informacionit dhe përmbajtjes digjitale. Kjo e vendos Shqipërinë ndër vendet me përqindjen më të ulët në Europë dhe shumë poshtë mesatares së Bashkimit Europian, prej 29.16%.

Shqipëria renditet e treta nga fundit në Europë në këtë tregues. Përqindje edhe më të ulëta u regjistruan në Greqi, me 9.78%, dhe Serbi, me 11.13%. Pas Shqipërisë vijnë Lituania me 14.92%, Turqia me 16.93%, Bosnjë-Hercegovina me 18.02% dhe Rumania me 18.19%.

Në total, rreth 3 në 10 persona në BE verifikuan në vitin 2025 vërtetësinë e informacionit ose përmbajtjes që gjetën në internet. Eurostat e mat këtë tregues përmes anketës mbi përdorimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit nga individët. Sipas Eurobarometrit të Komisionit Europian, në një mjedis ku informacioni online është bërë pjesë e përditshmërisë, rreziku i përballjes me përmbajtje të rreme apo manipuluese është gjithnjë më i madh. Po sipas këtij raporti, 66% e europianëve thonë se janë përballur të paktën herë pas here me dezinformim apo lajme të rreme, ndërsa 82% e konsiderojnë informacionin e rremë ose që shtrembëron realitetin një problem për demokracinë./ Monitor

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakNIS VITI I RI AKADEMIK/ 120 MIJË STUDENTË NË TË GJITHË VENDIN! 20 MIJË PREJ TYRE ULEN NË AUDITORET E UNIVERSITETIT PËR HERË TË PARË
Artikulli tjetërKUVENDI I KOSOVËS, VOTOHET NË PARIM PROJEKTLIGJI PËR NDRYSHIMIN E LIGJIT PËR SPECIALEN